Në Shqipëri besimtarët myslimanë mirëpritën rihapjen e Xhamisë së Madhe të Ayasofyas për adhurim

Rihapja e Xhamisë së Madhe të Shën-Sofisë për adhurim, në Stamboll të Turqisë, e cila u hap me faljen e xhumasë së parë, më 24 korrik 2020, pas 86 viteve, ka gëzuar edhe myslimanët shqiptarë në Shqipëri.

Rihapja e Xhamisë së Madhe të Shën-Sofisë për adhurim, në Stamboll të Turqisë, e cila u hap me faljen e xhumasë së parë, më 24 korrik 2020, pas 86 viteve, ka gëzuar edhe myslimanët shqiptarë në Shqipëri.

Myftiu i Metropolit Verior të Shqipërisë, Zonës së Shkodrës, Imam Muhamed Sytari në emër të besimtarëve që përfaqëson përshëndeti vendimin e Turqisë për të rihapur Xhaminë e Madhe, Shën-Sofinë.

Myftiu gjatë një bisedë mediatike, ku e pranishme ishte edhe “Zëri i Turqisë”-TRT uroi që kjo ngjarje e madhe historike të jetë e dobishme për të gjithë myslimanët e botës dhe për gjithë njerëzimin.

Ai shprehu kënaqësinë se ky hap, sipas tij, është shenjë e disa ndryshimeve pozitive që po ndodhin në mesin e ummetit islam. Kjo ngjarje e madhe shumë e pritur nga elita e botës islame si në Lindje ashtu dhe në Perëndim sipas Myftiut të Shkodrës, i ngjau një tabloje të vërtetë të një rituali të Haxhit, me praninë e mijëra myslimanë dhe jo vetëm që kishin mbushur xhaminë, sheshet e rrugët pranë Xhamisë Shën-Sofia (Ayasofya), tashmë të hapur për adhurim…

Myftiu theksoi se lajmi i privimit të mbarë botës islame nga Haxhi i sivjetshëm, u kompensua disi me lajmin historik të rikthimit në funksion të xhamisë së madhe të Shën-Sofisë (Ayasofya), lajm që gëzoi pa masë myslimanët e mbarë botës, të cilët vërshuan drejt Stambollit për të marrë pjesë në atë ceremoni model të organizimit të faljes së xhumasë së parë, pas disa dekadash, kur amaneti i të bekuarit Sulltan Mehmet Fatihut, ishte nëpërkëmbur dhe tjetërsuar.

Pak ditë më parë, Myftiu i Shkodrës, gjatë një hytbe xhumaje të mbajtur në një prej xhamive të qytetit, tha se çlirimi i Kostandinopojës, Stambolli i sotëm është një sihariq i profetit Muhamed a.s, e cila më pas do të rrezatonte besim, bashkëjetesë dhe paqe në mes të gjitha besimeve qiellore.

“…Data 10 Korrik 2020 është tashmë një ditë historike për mbarë ummetin islam, sepse është rikthim në identitet i amanetit të begatuarit e të sihariquarit në gjuhën e Pejgamberit a.s., për  Sulltan Mehmet Fatihun, Allahu e begatoftë dhe e mëshiroftë. Pra rihapja e dyerve të xhamisë së Shën-Sofisë, është një ngjarje e shumë pritur për elitat e botës islame në Lindje dhe në Perëndim, ndryshe nga bota e hipokritëve, e ndryshe nga bota e armiqve të betuar të islamit. Ajo është çështje që nuk na intereson, sepse kush beson në fjalën e madhe të Pejgamberit a.s se ‘Do ta çlironi, do ta merrni e do të ngadhënjeni mbi Kostandinopojën, e i bekuar ai udhëheqës i saj, e të bekuar ushtarë të asaj ushtrie’. Kush beson në këtë fjalë të madhe të Pejgamberit a.s, gëzohet pa asnjë dyshim për ngadhënjimin  e islamit e myslimanëve që është bekim dhe mëshirë edhe për jo-myslimanët , jo vetëm në Kostandinopojë, por në çdo cep të botës, sikur ka dëshmuar historia e jonë e sikurse e dëshmojnë edhe gjurmët e ndritura të hyrjes së madhe triumfuese të Sulltanit tonë në Kostandinopojë. E dini ju se si është sjellë me priftërinjtë e me kishat e tyre, e me të krishterët?!. Një marrëdhënie korrekte, siç e urdhëron Kur’ani Famëlartë, ndryshe nga ç’kemi parë me sjelljen e ushtrive të tjera e forcave të tjera jo-islame kur hynë në një vend shkatërrojnë, vrasin, presin e djegin, e transformojnë çdo gjë që kanë para duarve shenjtëritë materiale e shenjtërinë e shenjtërive që është vetë njeriu. Mjafton Srebrenica që e kemi më afër në kohë e mjafton Kosova e jonë si argument për këtë që po them…“.

Vlen të përmendet se Shën-Sofia (Ayasofya) shërbeu si kishë për  916 vjet deri në çlirimin e Stambollit, dhe pas një marrëveshjeje të vullnetshme e të lirë në mes Sulltan Mehmet Fatih i II dhe parisë së Kishës Bizantine u kthye si xhami, pikërisht nga viti 1453 deri në 1934, gati 500 vjet, dhe më pas si muze për 86 vjet.

Gjykata e Lartë Turke anuloi dekretin e vitit 1934, e cila e shndërroi Shën-Sofinë në muze, duke i hapur rrugën përdorimit të saj si xhami.