Manastirliu: Vaksinimi i gripit ushtrim i mirë për vaksinën antiCOVID

Ministrja foli edhe për lehtësinë e përfitimit të barnave në banesë, falë sistemit elektronik në rrjetin e qendrave shëndetësore.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi sot se është siguruar financim i plotë për paketat e trajtimit ambulator për të gjithë pacientët COVID që trajtohen në shtëpi. “Rimbursimi 100% dhe financimi nga shteti për paketën e trajtimit me barna për të gjithë qytetarët të cilët kanë forma të lehta dhe të moderuara të sëmundjes, është një tjetër hap drejt mbështetjes së qytetarëve, drejt angazhimit dhe kujdesit që qeveria shqiptare ka për gjithë qytetarët shqiptarët”, tha Manastirliu.

Ministrja foli edhe për lehtësinë e përfitimit të barnave në banesë, falë sistemit elektronik në rrjetin e qendrave shëndetësore.

“Është lehtësia që ne tashmë kemi vendosur jo vetëm për diagnozën Covid19 por edhe për diagnoza të tjera në sistem, që mundëson rimbursimin e shpejtë. Në fakt gjatë gjithë periudhës së pandemisë qytetarëve të cilëve i’u është dashur që të marrin barna me rimbursim, i kanë marrë pikërisht nëpërmjet kodit elektronik dhe vendosjes në lidhje direkte të mjekut të familjes, qytetarit dhe farmacisë”,-tha Manastirliu. 

Mjekët thanë se: “Tashmë kemi filluar dhe pjesën e rimbursimit, gjithmonë në fazën dhe në stadin që është pacienti, në stadet e lehta duke e trajtuar me vitaminën terapi dhe në format e moderuara që i trajtojmë me antikoagulantë, me antibiotikë, në varësi të simptomave që shfaq dhe të sëmundshmërisë kronike dhe kodi i dërgohet pacientit dhe mund të merren barnat në farmaci me anë të familjarëve që nuk ka kontakt të drejtëpërdrejtë”, tha dr. Dorinela Saliaj.