Një javë pasi ‘dogjën’ selinë e PS, një tjetër protestë do të zhvillohet sot në Shkodër

Protestuesit shkatërruan dhe dogjën sendet që ndodheshin brenda selisë së Partisë Socialiste në Shkodër, ndërsa PD dhe kryebashkiakja Voltana Ademi u distancuan nga aktet e dhunës.

Një javë pas protestës së dhunshme që u zhvillua në qytetin e Shkodrës, një tjetër grumbullim është raportuar ditën e sotme në disa media. Dosja.al u interesua për tubimi i cili konfirmohet nga disa persona, të cilët thonë se dje është shpërndarë një njoftim dhe sot në mesditë pritet grumbullimi i protestuesve të cilët nuk kanë një “kryesues” apo një axhendë të qartë për itinerarin e tubimit.

Javën që shkoi, qindra protestues nisën një marshim paqësor në rrugët e Shkodrës dhe më pas, tubimi u kthye në një manifestim dhune. Protestuesit shkatërruan dhe dogjën sendet që ndodheshin brenda selisë së Partisë Socialiste në Shkodër, ndërsa PD dhe kryebashkiakja Voltana Ademi u distancuan nga aktet e dhunës.

Megjithatë, policia vijoi me procedimin e tyre, ndërsa PS dhe kryeministri Edi Rama i krahasuan opozitarët me grupimin terrorist të Boko Haram. “Historia njeh disa raste kriminale me fëmijët, por që të shfaqej në Shqipëri si streha e fundit e maskarallëkut të politikës opozitare kjo është tejet e dhimbshme!”, shkruante Rama të shtunën pas protestës në Shkodër.