VIDEO/ Shkodra ngrihet në protestë, qytetarët kërkojnë largimin e Ardi Veliut, shoqërohen dy të mitur, kishin shishe me benzinë me vete

Në fund të protestës, Policia shoqëroi edhe dy të mitur që dyshohet se kishin me vete shishe me benzinë.

Një javë pas protestës së dhunshme që u zhvillua në qytetin e Shkodrës, një tjetër grumbullim u zhvillua në sheshin “Luigj Gurakuqi”. Në rrugët e qytetit ishte shpërndarë një njoftim dhe në mesditë nisi grumbullimi i protestuesve të cilët nuk kishin një “kryesues” apo një axhendë të qartë për itinerarin e tubimit. Policia e Shtetit ndërkohë kishte marrë në mbrojtje disa institucione, si bashkia e qytetit dhe prefektura. Në fund të protestës, Policia shoqëroi edhe dy të mitur që dyshohet se kishin me vete shishe me benzinë.


Javën që shkoi, qindra protestues nisën një marshim paqësor në rrugët e Shkodrës dhe më pas, tubimi u kthye në një manifestim dhune. Protestuesit shkatërruan dhe dogjën sendet që ndodheshin brenda selisë së Partisë Socialiste në Shkodër, ndërsa PD dhe kryebashkiakja Voltana Ademi u distancuan nga aktet e dhunës.

Megjithatë, policia vijoi me procedimin e tyre, ndërsa PS dhe kryeministri Edi Rama i krahasuan opozitarët me grupimin terrorist të Boko Haram. “Historia njeh disa raste kriminale me fëmijët, por që të shfaqej në Shqipëri si streha e fundit e maskarallëkut të politikës opozitare kjo është tejet e dhimbshme!”, shkruante Rama të shtunën pas protestës në Shkodër.