DENONCIMI/ Shpërndanë certifikatat e pronësisë më 31 dhjetor! KQZ nis hetim administrativ për deputetin e PS, Bujar Çela dhe kreun e Kadastrës Arben Qalliun

Sipas denoncimit të mbërritur në KQZ, Bujar Çela dhe Arben Qalliu kanë shpërndarë certifikata pronësie një ditë para Vitit të Ri. Kjo është paraqitur së bashku me postimet e shpërndara në llogaritë e tyre të Facebook.

KQZ ka nisur hetimin administrativ për deputetin e PS në Fier, Bujar Çela edhe për kreun e Kadastrës Lushnje, Arben Qalliu. KQZ bën të ditur se ka marrë dy kallëzime për dy personat në fjalë ndaj ka nisur hetimi ndaj tyre pasi në kundërshtim me kufizimet e vendosura nga KQZ, kanë shpërndarë leje legalizimi. Në fakt ishte anëtari i Komisionit Rregullator në KQZ, Muharrem Çakaj i cili denoncoi gjatë mbledhjes së KQZ më 30 dhjetor 2020 shkeljen e Aktit Normativ për veprimtaritë e ndaluara para zgjedhjeve, nga deputeti socialist Bujar Çela.

Kjo shpërndarje e çertifikatave është publikuar dhe në llogarinë e Bujar Çelës në Facebook pikërisht atë ditë.

POSTIMI NE FACEBOOK

Çela dhe Qalliu janë thirrur në seanca dëgjimore nga KQZ në 11 janar. Do të jetë Qalliu ai i cili do të thërritet për të dhënë shpjegime pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për shkeljen e vendimit nr.9, që ndalon përdorimin e administratës publike në fushatë elektorale.

NJOFTIMI I KQZ: 

“Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, janë raportuar dy denoncime në ndërfaqen e “Aktiviteteve të Ndaluara”, në rubrikën “Kallëzo”, për veprimtaritë e deputetit të PS, Qarku Fier, z. Bujar Çela, i cili ka publikuar në llogarinë e tij personale në Facebook disa foto me qytetarë të ndryshëm duke shpërndarë leje legalizimi të shtëpive të tyre në Njësinë Administrative Hyzgjokaj.Bazuar në denoncimet e raportuara, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, ditën e hënë, më datë 11.01.2021, ora 12:00, zhvillon seancën dëgjimore për shkelje të parashikuara në vendimin nr. 9, datë 24.12.2020 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, meZ. Arben Qalliu, Drejtor i Drejtorisë Vendore i A.SH.K Lushnjë.Bazuar në nenin 47 dhe 87 të ligjit nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative”, z. Qalliu ka të drejtën të paraqitet vetë ose me mbrojtës ligjor për të dhënë shpjegimet e tij, ditën e hënë, më datë 11.01.2021, në adresë Rr.Ibrahim Rugova, nr.4, Tiranë”, njofton KQZ.

KQZ ka kufizuar qeverinë që 4 muaj përpara zgjedhjeve të mos organizojnë apo të marrin pjesë në aktivitete ku priten shirita elektoralë apo prezantohen projekte të investimeve në fushën e transporteve, energjisë, mjedisit, shëndetësisë, kulturës dhe arsim. Lista e personave që e kanë të ndaluar përfshirjen në aktivitetet e mësipërme janë: kryeministrin, Zëvendëskryeministri, ministrat dhe zëvendësministrat, kryetarët dhe nënkryetarët e bashkive, drejtorët e përgjithshëm të agjencive, apo shoqërive si: OSHEE, Ujësjellës, Posta, etj.