Mesditën e sotme do të zhvillohet seanca e radhës në Gjykatën e Posaçme për Izet Haxhinë, i cili akuzohet për vrasjen e Azem Hajdarit. Mësohet se trupa gjykuese do të vendosë mesditën e sotme, nëse do të ftojë për të folur 30 dëshmitarët e rinj, mes të cilëve është edhe Sali Berisha.
Seanca është planifikuar të mbahet në orën 12:00, ndërsa kërkesa për dëshminë e Berishës është bërë edhe nga Prokuroria edhe nga avokati i Haxhisë, Idajet Beqiri.
Izet Haxhia është dënuar në mungesë me 25 vite burg për vrasjen e ish-deputetit Azem Hajdari. Pas 17 vitesh në mungesë dhe azil në Turqi, Haxhia është rikthyer me vullnetin e tij në Shqipëri duke kërkuar rihapjen e dosjes, pasi ai kurrë nuk i ka pranuar akuzat e ekzekutimit të deputetit Azem Hajdarit në vitin 1998. Sipas Haxhisë, ai nuk ka pasur lidhje me atentatin, ndërsa i dënuar është edhe vëllai i tij, Ismeti. Dëshmitarët kanë pretenduar se ishte Haxhia personi që e nxiti deputetin Hajdati që të dilte jashtë selisë dhe të përballej me Fatmir Haklajn.



