Abuzoi seksualisht me të miturën, gjykata liron 72-vjeçarin në Sarandë

72-vjeçari i ka mohuar vazhdimisht akuzat, ndërkohë gjykata tashmë ka vendosur lirimin e tij nga qelia.

Gjykata e Sarandës ka zëvendësuar masën e sigurisë për Bajram Tushën nga “arrest ne burg” ne “arrest në shtëpi”. Burime nga gjykata konfirmojnë lajmin për gazetaren Silvi Sulaj.

Tusha akuzohet për abuzim seksual ndaj një 17-vjeçareje. E mitura denoncoi në polici 72 vjeçarin në prill të këtij viti, duke pohuar se ai  kishte abuzuar seksualisht me të që kur ka qenë 9 vjeçe.

Ngjarja e rëndë tronditi opinionin publik disa muaj më parë. Nga dosja e prokurorisë bëhej me dije se me të miturën kishin abuzuar edhe dy persona të tjerë.

Vajza është abuzuar që në moshën 9-vjeçare nga Bajram Tusha, ndërsa në dosje thuhet se me këtë të fundit familja e saj ka pasur edhe një marrëdhënie krushqie.

Asokohe u bë me dije se gjatë hetimit është bërë dhe një përgjim ambiental, ku janë mbledhur prova, të cilat çuan në arrestimin e të moshuarit.

72-vjeçari i ka mohuar vazhdimisht akuzat, ndërkohë gjykata tashmë ka vendosur lirimin e tij nga qelia. /abcnews.al