Akar për problemin global të ushqimit: Është në pikën që mund të nxisë migrimin

Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar tha se anija e ngarkuar me drithëra që u nis nga porti ukrainas Odesa do të jetë nesër në Istanbul, raporton Anadolu Agency (AA). “Anija do të ankorohet në brigjet e Istanbul-it rreth orës 15:00 (ora lokale) për një inspektim të përbashkët”, tha Akar në Panelin Editorial të AA-së….

Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar tha se anija e ngarkuar me drithëra që u nis nga porti ukrainas Odesa do të jetë nesër në Istanbul, raporton Anadolu Agency (AA).

“Anija do të ankorohet në brigjet e Istanbul-it rreth orës 15:00 (ora lokale) për një inspektim të përbashkët”, tha Akar në Panelin Editorial të AA-së.

Vërejtjet e ministrit Akar erdhën pasi anija e parë e ngarkuar me drithëra u nis sot nga porti ukrainas në qytetin Odesa për në Liban. E ngarkuar me misër, anija e ngarkesave të thata “Razoni” me flamur të Sierra Leones do të mbërrijë nesër në Istanbul dhe do të vazhdojë rrugën për në portin e Tripolit pas inspektimeve në qytetin më të madh turk. Anija mban një ngarkesë prej 26.527 tonë misër.

Akar tha se përpjekjet për dërgesat e drithërave nga Ukraina do të vazhdojnë, duke shtuar se kjo çështje është një “çështje humanitare”.

“Anijet e radhës do të vazhdojnë po kështu pa asnjë ndërprerje”, nënvizoi ai.

Türkiye, OKB-ja, Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje më 22 korrik për të rihapur tre porte ukrainase: Odesa, Chernomorsk dhe Yuzhny; për drithërat që mbetën të bllokuara prej muajsh për shkak të luftës Rusi-Ukrainë, e cila po vijon në muajin e gjashtë.

Për të mbikëqyrur eksportet e drithit ukrainas, një qendër e përbashkët koordinimi në Istanbul u hap zyrtarisht të mërkurën e kaluar, e përbërë nga përfaqësues nga Türkiye, OKB-ja, Rusia dhe Ukraina për të mundësuar transportin e sigurt me anije tregtare të produkteve ushqimore komerciale dhe plehrave nga tre portet kryesore ukrainase në Detin e Zi.

Akar tha se duhet të adresohet kriza globale e ushqimit, duke shtuar se ajo ishte “në një pikë ku mund të shkaktojë migrim”. “Mund të sjellë një valë serioze migrimi nga Afrika në Evropë dhe Türkiye”, theksoi ai.

Në lidhje me drithërat dhe materialet kimike që presin dërgimin nga portet ruse, Akar tha se Türkiye “do të ishte e lumtur” të kontribuonte edhe për këtë çështje.

– Përpjekjet e Türkiye-s kundër terrorizmit

Duke pohuar se Türkiye do të vazhdojë me vendosmëri me operacionet e saj kundër terrorizmit, ministri Akar tha se gjithsej 2.226 terroristë janë “neutralizuar” këtë vit.

Autoritetet turke përdorin “neutralizimin” për të nënkuptuar se terroristët në fjalë u dorëzuan, u vranë ose u kapën.

Akar nënvizoi se nuk ka asnjë dallim midis organizatës terroriste PKK dhe YPG-së, dega e saj siriane.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 35-vjeçare kundër Türkiye-s, PKK, e listuar si një organizatë terroriste nga Türkiye, SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe BE-ja, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e më shumë se 40 mijë njerëzve, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja.

Akar tha se qëllimi i vetëm i Türkiye-s është të mbrojë sigurinë e qytetarëve të saj dhe “nuk ia ka vënë syrin” territorit të ndonjë vendi tjetër.

Ai shtoi se objektivat e vetëm të përpjekjeve kundër terrorizmit të Türkiye-s janë terroristët dhe theksoi përpjekjet e forcave turke për të garantuar sigurinë e grupeve etnike lokale.

Ministri Akar gjithashtu theksoi luftën e Türkiye-s kundër grupit terrorist DEASH, qoftë në veri të Sirisë apo në Irak.

Akar tha se Ankaraja zyrtare pret që vendet të kuptojnë se objektivat e saj të vetëm janë terroristët, duke shtuar: “Ne kemi bërë përpjekje për të stabilizuar rajonin”.

Në vitin 2013, Türkiye u bë një nga vendet e para që e shpalli DEASH-in si një grup terrorist.

Vendi që atëherë është sulmuar disa herë nga grupi terrorist, ku mbi 300 njerëz janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur në të paktën 10 sulme vetëvrasëse, shtatë sulme me bomba dhe katër sulme të armatosura.

Si kundërpërgjigje, Türkiye nisi operacione kundër terroriste brenda dhe jashtë vendit për të parandaluar sulme të mëtejshme.