Rama: Qeveria e Kosovës ka të drejtë të zbatojë marrëveshjet duke ushtruar sovranitetin territorial

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është shprehur se Qeveria e Kosovës ka të drejtë të zbatojë marrëveshjet duke ushtruar sovranitetin territorial, raporton Anadolu Agency (AA).

Në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin e Spanjës, Pedro Sanchez, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Shqipëri, kryeministri Rama komentoi zhvillimet e mbrëmshme në pjesën veriore të Kosovës.

Rama tha se “Ne kemi diskutuar, aq më tepër në kuadrin e një situate që mbrëmë vonë ka pasur një përshkallëzim krejtësisht të paarsyeshëm pasi Qeveria e Kosovës ka të drejtë dhe detyrë që të zbatojë marrëveshjet duke ushtruar sovranitetin territorial, që buron nga një pavarësi në administrimin e shtetit”.

“Unë i bëj thirrje autoriteteve në Beograd, presidentit të Serbisë që të mos ushqejë me asnjë lloj justifikimi dhe asnjë lloj alibie grupe të caktuara në veriun e Kosovës, që për arsye të tyre i kundërvihen zbatimit të një marrëveshjeje që jo vetëm duhet zbatuar por është e vlefshme të zbatohet edhe për t’i dhënë më shumë besueshmëri dialogut mes Serbisë dhe Kosovës”, tha më tej Rama për zhvillimet e fundit në Kosovë.

Policia e Kosovës konfirmoi se dje pas bllokimit të rrugëve në veri të Mitrovicës, në katër raste ka pasur të shtëna me armë zjarri në drejtim të njësiteve policore.