Ali Ahmeti ftohet si dëshmitar nga gjykata speciale në Hagë

Ahmeti nuk ka specifikuar se për cilin rast është ftuar të dëshmojë nga Prokuroria Speciale...

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, njoftoi se është ftuar në cilësinë e dëshmitarit nga Dhomat e Specializuara të Republikës së Kosovës pranë Prokurorisë Speciale me seli në Hagë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim në rrjetet sociale, Ahmeti, njëherësh një ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka shkruar se “sundimi i ligjit dhe arritja e drejtësisë së mirëfilltë joselektive, vendore dhe ndërkombëtare, janë synim dhe detyrim i imi i përhershëm në të gjithë veprimtarinë time”.

“Andaj, ju njoftoj që Dhomat e Specializuara të Republikës së Kosovës, gjegjësisht Prokuroria Speciale e Kosovës, si një nga themeluesit e UÇK-së dhe anëtar i shtabit të përgjithshëm, më ka ftuar në cilësinë e dëshmitarit dhe pa hamendje kam pranuar ftesën dhe kam vendosur kontakt konstruktiv dhe bashkëpunues me zyrtarët në Hagë”, ka thënë Ahmeti.

“Gjithmonë kam qenë ithtar i drejtësisë joselektive dhe jam në dispozicion të tërësishëm të organeve të drejtësisë për ta dëshmuar çiltërsinë e luftës çlirimtare të popullit shqiptar përballë gjenocidit të regjimit serb të Millosheviçit”, ka shtuar ai.

Megjithatë, Ahmeti nuk ka specifikuar se për cilin rast është ftuar të dëshmojë nga Prokuroria Speciale dhe në cilën datë do të dëshmojë në gjykatë.

Ndryshe, në një aktakuzë të bërë publike më 24 qershor, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, bashkë me ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe të tjerë, u pretendua se janë “penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme”, ndërsa këto krime, sipas të njëjtit burim, përfshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë, romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë të tyre.

Thaçi nga 13 korriku deri më 16 korrik u intervistua për katër ditë radhazi në gjykatën speciale në Hagë.

Deri më tani, Dhomat e Specializuara kanë paraqitur për konfirmim te gjyqtari dy aktakuza, njëra në shkurt dhe tjetra në prill ndaj presidentit Thaçi, e cila u publikua dy muaj më pas, pasi, siç pohoi gjykata, “besohet se Thaçi dhe Veseli kanë penguar punën e gjykatës”.

Dhomat e Specializuara kanë afat prej gjashtë muajve për të sjellë vendim rreth konfirmimit ose hedhjes poshtë të aktakuzës.