Ambasada turke në Prishtinë organizon program përkujtimor me rastin e 15 korrikut

Ambasada e Türkiye-s (Turqi) në Prishtinë organizoi program përkujtimor me rastin e 15 korrikut – Ditës së Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoni morën pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zv.kryeministrja e Kosovës përgjegjëse për Pakicat dhe të Drejtat e Njeriut e Kosovës, Emilija Rexhepi, ministri i Zhvillimit Rajonal i Kosovës dhe kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Fikrim Damka, deputetët e KDTP-së Fidan Brina Jilta dhe Enis Kervan, Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, kryetarë të komunave, ambasadorë, përfaqësues të institucioneve vendase dhe turke në vend dhe të ftuar të tjerë.

Programi filloi me një minutë heshtje dhe intonimin e himnit kombëtar turk. Të pranishmit kishin rastin të shikonin edhe një video të përgatitur nga AA që tregon fytyrën e vërtet të organizatës FETO dhe drejtuesit të saj, Fethullah Gulen, gjatë tentativës për grusht shteti më 15 korrik 2016.

Ambasadori Çağrı Sakar, në fjalimin e tij në program, tha se sulmi i 15 korrikut, nuk duhet të harrohet se është orkestruar për arsye se është filluar të merren masa kundër organizatës terroriste FETO.

Ai tha se Türkiye sot është bërë një vend më i fuqishëm, i sigurt dhe i qëndrueshëm, duke tërhequr vëmendjen se rrjeti terrorist i pabesë, shtylla kurrizore e të cilit është shkatërruar në Türkiye, po përpiqet të mbijetojë jashtë vendit duke përçmuar Türkiye-n.

Ai tha se përpjekjet e tyre kundër organizatës terroriste FETO jashtë vendit vazhdojnë pandërprerë.

“Ne e konsiderojmë si detyrë të paralajmërojmë vendet mike dhe vëllazërore, përfshirë Kosovën, kundër kësaj organizate terroriste tradhtare dhe tinëzare që maskon fytyrën e saj të vërtetë të pistë pas një perdeje legjitimiteti. Nuk ka asnjë garanci që FETO, e cila është një organizatë terroriste e gjeneratës së re, të mos i përsërisë ato gjëra që i ka bërë edhe në vendet tjera ku vazhdon praninë. FETO është një kërcënim serioz për të gjithë vendet ku gjendet. Presim që vendet mike dhe vëllazërore, përfshirë Kosovën, të vazhdojnë solidaritetin me vendin tonë në luftën e tij kundër kërcënimit të FETO-s dhe të rrisin bashkëpunimin me hapa konkretë shtesë në luftën kundër terrorizmit. E theksojmë me rëndësi që këtë të mos e bëjnë për Türkiye-n, por për vendet e tyre, për sigurinë e tyre”, tha Sakar.

Ndërkaq, kryeministri Kurti, tentativën për grusht shteti të 15 korrikut e cilësoi si një sulm ndaj të gjithë demokracive të botës.

Sipas tij, Türkiye dhe Kosova mbështesin politikën e paqes së qëndrueshme në Ballkan. “Demokracia turke e përballoi me sukses një sfidë të rëndë dhe para aktit vetëflijues të të rënëve dhe të të plagosurve përkulemi me respekt. Shkëlqesia ambasador i Republikës së Türkiye-s, më lejoni që me këtë rast të shpreh konsideratat e popullit të Kosovës ndaj vendit dhe popullit tuaj. Kosova te Türkiye shikon një shtet aleat dhe një popull mik, me të cilin kemi lidhje të ngushta historike, marrëdhënie të sinqerta dhe të dobishme në shumë plane”, theksoi Kurti.

Ministri Damka, në fjalimin e tij, theksoi se është e rëndësishme për të ardhmen e Kosovës që të ndërmarrë hapa kundër kësaj organizate terroriste sa më shpejt të jetë e mundur. “Besoj se të gjitha vendet e botës duhet të vazhdojnë të luftojnë me vendosmëri kundër kësaj organizate tinëzare që përpiqet të vazhdojë ekzistencën e saj në shkollat ​​e Kosovës, veçanërisht nën petkun e arsimit, dhe se edhe shteti i Kosovës duhet të shfaqë një qëndrim më të vendosur në këtë luftë”, tha Damka.

Në ceremoni mbajtën nga një fjalim edhe deputetët Jilta dhe Kervan.