Ambasada turke në Shkup organizon program përkujtimor me rastin e 15 korrikut

Ambasada e Türkiye-s (Turqi) në Shkup organizoi program përkujtimor me rastin e 15 korrikut – Ditës së Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar, raporton Anadolu Agency (AA).

Në program morën pjesë ambasadori turk, Hasan Mehmet Sekizkök, deputeti dhe kryetari i Partisë Demokratike të Turqve (TDP), Beycan Ilyas, kryetari i partisë Lëvizja për Bashkim Kombëtar të Turqve (TMBH), Erdoğan Saraç, përfaqësues të institucioneve turke në vend dhe të ftuar të tjerë.

Programi filloi me një minutë heshtje dhe intonimin e himnit kombëtar turk.

Ambasadori Sekizkök, në fjalën e tij në program rikujtoi se kanë kaluar gjashtë vite nga tentativa për grusht shteti e FETO-s që synonte ekzistencën dhe vazhdimësinë e Republikës së Türkiye-s.

Ai theksoi se qëndrimi i vendosur i popullit turk kundrejt puçistëve më 15 korrik nën lidershipin e presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan ka përcaktuar fatin e Türkiye-s, duke deklaruar se populli turk atë natë demonstroi fuqishëm vullnetin e tij kombëtar.

Sekizkök tha se populli turk është bashkuar përballë tentativës për grusht shteti të FETO-s për kapjen e shtetit. “Kjo luftë e popullit tonë që natën e 15 korrikut e ka shfaqur për hir të Türkiye-s, duke mbrojtur atdheun, është bërë një pikë kthese në historinë tonë. Atë natë gjatë rezistencës historike 251 qytetarë tanë ranë dëshmorë, mbi 2 mijë njerëz u plagosën. Nuk u lejua që FETO të kapte institucionet e shtetit tonë. U tregua se nuk do të ketë forcë mbi vullnetin e popullit”, tha ai.

Ai tha se 15 korriku ka zbuluar se FETO është një organizatë terroriste e gjeneratës së re, duke shtuar se gjatë kësaj kohe janë hedhur hapa të vendosur për identifikimin dhe nxjerrjen para drejtësisë të anëtarëve të FETO-s, të cilët janë infiltruar në institucionet shtetërore, rrjetet e organizatës terroriste brenda institucioneve shtetërore janë eliminuar, gjithashtu janë eliminuar edhe strukturat e maskuara në fusha si arsimi, media dhe sektori bankar.

Sekizkök mes tjerash tha se pas tentativës për grusht shteti FETO synon të mbijetojë jashtë vendit, duke shtuar:

“Vazhojmë luftën tonë për eliminimin e strukturimeve të FETO-s në vende të huaja. Jemi gjithashtu duke i marrë edhe rezultatet pozitive të këtyre përpjekjeve. Në 45 vende i është dhënë fund aktiviteteve të shkollave të FETO-s. Gjithashtu në 20 vende mbi 200 shkolla janë marrë përsipër nga Fondacioni Turk Maarif. Türkiye do të vazhdojë luftën e saj të vendosur kundrejt të gjitha organizatave terroriste, përfshirë FETO-n, brenda vendit si dhe në plan ndërkombëtar. Ne presim që të gjitha vendet të veprojnë me frymën e bashkëpunimit dhe solidaritetit në luftën kundër terrorizmit. I kushtojmë rëndësi që turqit jashtë vendit të tërheqin vëmendjen ndaj kërcënimit të FETO-s në vendet e tyre”.

Pas fjalimit, Këshilltari për Shërbime Fetare pranë Ambasadës së Türkiye-s në Shkup, Mustafa Mesten, lexoi nga Kurani.

Ndërkohë, para namazit të xhumasë në xhaminë e Mustafa Pashës në Shkup, do të lexohet Kuran dhe do të bëhen lutje me rastin e 15 Korrikut.