“Aneksimi do të dëmtojë marrëdhëniet izraelito-gjermane”

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas do të zhvillojë të mërkurën një vizitë në Izrael për të paralajmëruar qeverinë e Tel Avivit lidhur me planin për "aneksim"

Zyrtarët izraelitë thonë se aneksimi i Luginës së Jordanit dhe njësive të vendbanimeve të paligjshme hebreje në Bregun Perëndimor nën okupim, do të dëmtojnë marrëdhëniet mes Izraelit dhe Gjermanisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një artikulli të gazetës “Haaretz”, zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Izraelit në kushte anomimiteti kanë bërë vlerësime lidhur me të ardhmen e marrëdhënieve mes Izraelit dhe Gjermanisë nëse vendoset në zbatim plani i qeverisë së Tel Avivit për “aneksim”.

Zyrtarët në fjalë kanë thënë se janë të mendimit se “aneksimi” do të dëmtojë marrëdhëniet mes Tel Avivit dhe Berlinit, por se Gjermania nuk do të zbatojë sanksione kundër Izraelit për shkak të “aneksimit”.

Shtypi lokal shkruan se ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas do të zhvillojë të mërkurën një vizitë në Izrael për të paralajmëruar qeverinë e Tel Avivit lidhur me planin për “aneksimin” e njëanshëm të disa rajoneve në Bregun Perëndimor nën okupim.

Po ashtu është potencuar se Maas në vizitë do të përcjellë mesazhin se vendi i tij dëshiron vazhdimin e aleancës me Izraelin por se “aneksimi” i njëanshëm do të detyrojë qeverinë e Berlinit që në lidhje me marrëdhëniet me Izraelin të bëjë një zgjedhje mes ligjit ndërkombëtar dhe vlerave të Bashkimit Evropian.

– Plani i Izraelit për “aneksimin” e zonave në Bregun Perëndimor

Në planin e ashtuquajtur “Marrëveshja e Shekullit” për Lindjen e Mesme që presidenti i SHBA-ve, Donald Trump e prezantoi më 28 janar bashkë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë, janë nenet që njësitë e vendbanimeve të paligjshme hebreje në Bregun Perëndimor të njihen si “territor i Izraelit” dhe që qeveria e Tel Avivit të vazhdojë sundimin mbi Luginën e Jordanit që i përket Palestinës.

Një komision i përbashkët i përbërë nga zyrtarë amerikanë dhe izraelitë, pas planit të ashtuquajtur “plani për paqe”, filluan procesin e hartëzimit në Bregun Perëndimor për “aneksimin” e rajoneve në fjalë.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar mes Netanyahut dhe liderit të aleancës “Kaltër dhe Bardhë” Benny Gantz, kryeministri izraelit që nga 1 korriku mund të paraqesë për miratim në Parlament ose në kabinet “aneksimin” e njësive të vendbanimeve të paligjshme hebreje në Bregun Perëndimor dhe të Luginës së Jordanit.