Angela Merkel për Ballkanin Perëndimor: Duhet të dakordoheni

Në Sofje u mbajt sot Samiti i Liderëve të Ballkanin Perëndimor në Procesin e Berlinit, i bashkëkryesuar nga Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, tha se në Samitin e Liderëve për Ballkanin Perëndimor të mbajtur sot, kishin mundësinë të diskutojnë drejtimet kryesore strategjike të rajonit, vizionin për planin e veprimit për një treg të përbashkët rajonal dhe “Axhendën e Gjelbër” për Ballkanin Perëndimor, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sot në Sofje u mbajt Samiti i Liderëve të Ballkanit Perëndimor në Procesin e Berlinit, i bashkëkryesuar nga Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut. Delegacioni i Maqedonisë së Veriut, i kryesuar nga kryeministri Zoran Zaev, ishte prezent në Sofje, ndërsa pjesëmarrësit tjerë u kyçën përmes video-lidhjes.

Pas Samitit të Liderëve, u mbajt deklaratë e përbashkëta për media nga bashkëkryesuesit, kryeministrat Zoran Zaev dhe Bojko Borisov, së bashku me kancelaren gjermane Angela Merkel.

Kryeministri Zaev tha se samiti i sotëm është dëshmi se rajoni pranoi fuqishëm Procesin e Berlinit si të vetin dhe se procesi do të sigurojë një platformë të shkëlqyeshme për nxitjen e mëtejshme të marrëdhënieve midis vendeve.

“Parimi udhëzues i Procesit të Berlinit synonte të siguronte vazhdimësinë e iniciativave të nisura brenda procesit dhe të përqendrohej në rezultatet me efekte pozitive të dukshme në rajon”, tha Zaev.

Ai gjithashtu tha se duke shfrytëzuar platformën politike të këtij procesi, është arritur përparim në iniciativa të caktuara si marrëveshja rajonale për udhëtime me letërnjoftim.

“Në takimin e sotëm patëm mundësi të diskutojmë të gjitha drejtimet kryesore strategjike për rajonin tonë, vizionin për planin e veprimit për një treg të përbashkët rajonal dhe Axhendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor”, shtoi Zaev.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut gjithashtu tha se Bashkimi Evropian ka rikonfirmuar guximshëm mbështetjen e tij për Ballkanin Perëndimor me 9 miliardë euro të paralajmëruara për grante, të plotësuara me Instrumentin e ri të Garancës për Ballkanin Perëndimor, me të cilin duhet të rriten investimet me 20 miliardë euro shtesë.

Kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov, në fjalimin e tij falënderoi të gjithë pjesëmarrësit, duke përshëndetur nënshkrimin e Deklaratës së Sofjes për “Agjendën e Gjelbër” për Ballkanin Perëndimor, si dhe deklaratën e Planit të Veprimit 4-vjeçar për Tregun e Përbashkët Rajonal.

“Bëhet fjalë për një popullësi prej 20 milionë njerëz në Ballkan, kështu që ne duam që këto njerëz të kenë të ardhura më të larta dhe duam që këto njerëz të vazhdojnë të jetojnë këtu në rajon”, tha Borisov.

Merkel: Duhet të dakordoheni, mos harroni

Kancelarja gjermane Angela Merkel, duke folur përmes video-lidhjes, falënderoi bashkëkryesuesit dhe i përgëzoi për përparimin e arritur, duke kujtuar se samiti po mbahet në kushte të vështira për shkak të pandemisë.

“Mund të supozoj përparimin që keni bërë dhe formimin e tregut të përbashkët. Ky është një moment historik i rëndësishëm si një mesazh për ekonomitë tona dhe zbatimin e katër lirive dhe kjo do të japë një shtysë që do të jetë e favorshme për popujt e rajonit, por edhe për kompanitë”, tha Merkel.

Kancelarja gjermane përshëndeti gjithashtu marrëveshjen e arritur për “Agjendën e Gjelbër”, e cila do të mundësojë kalimin në një ekonomi pa dioksid-karboni.

Ajo tha se Procesi i Berlinit është gjithmonë i lidhur me pajtimin dhe tha se shpreson që procesi do të vazhdojë. “Për rajonin, ajo që unë kam për të thënë është që ju duhet të dakordoheni, mos harroni”, shtoi Merkel.

Ajo ftoi të gjithë pjesëmarrësit në Berlin vitin e ardhshëm, duke shpresuar që një samit me një prani fizike do të jetë i mundur deri në verën e ardhshme.

Procesi i Berlinit është një iniciativë politiko-diplomatike e filluar në gusht 2014 nga kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Pjesëmarrësit në proces janë vendet e Ballkanit Perëndimor: Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Kosova, Serbia dhe Mali i Zi, ndërsa sponsorë dhe mbështetës të saj janë disa shtete anëtare të BE-së, si Gjermania, Franca, Austria, Italia, Britania e Madhe, Polonia, Greqia, Kroacia, Sllovenia dhe Bullgaria.