Associated Press shkarkon gazetaren që kritikoi Izraelin në median sociale

Gazetarja e shkarkuar tha se kontrata me AP-në është ndërprerë me arsyetimin se ajo ka shkelur parimet e përdorimit të mediave sociale, por që nuk i është shpjeguar se cilat parime i ka shkelur

Agjencia amerikane e lajmeve Associated Press (AP) pushoi nga puna gazetaren Emily Wilder, e cila kritikoi praktikat e Izraelit kundër palestinezëve në Sheikh Jarrah dhe mënyrën e raportimit të ngjarjeve nga ana e mediave, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në postën elektronike dërguar punonjësve të AP-së dhe të shpërndarë në mediat sociale, thuhet se Wilder nuk është më pjesë e kësaj organizate mediatike.

Më vonë, duke folur për gazetën Washington Post në lidhje me incidentin, Wilder tha se kontrata me AP-në është ndërprerë me arsyetimin se ajo ka shkelur parimet e përdorimit të mediave sociale, por që nuk i është shpjeguar se cilat parime i ka shkelur.

Ajo theksoi se vetë është hebreje dhe se kurrë nuk e ka fshehur personalitetin e saj si aktiviste, duke shtuar se ka pasur role aktive në klube si “Studentët për Drejtësi për Palestinën” dhe “Zëri i Hebrenjve për Paqen” gjatë viteve të saj studentore në Universitetin e Stanford-it dhe se gjithmonë ka kritikuar praktikat e Izraelit ndaj palestinezëve.

Wilder, e cila filloi punën në AP më 3 maj, thotë se disa qarqe filluan një fushatë kundër saj pas disa postimeve në Twitter që kritikonin veprimet e Izraelit ndaj palestinezëve, veçanërisht ato në lagjen Sheikh Jarrah të Kudsit Lindor të pushtuar.

“Të thuash ‘Izrael’ por kurrë të mos thuash ‘Palestinë’ dhe të thuash ‘luftë’ dhe asnjëherë ‘rrethim’ ose ‘pushtim’ është përzgjedhje politike, e megjithatë, mediat gjithmonë i bëjnë këto përzgjedhje pa u cilësuar si ‘të anshme’”, ishte një nga postimet që Wilder ka shfaqur si shembull.

Wilder deklaroi se disa qarqe konservatore republikane në Stanford kanë bërë presion mbi AP-në duke aktualizuar postimet e saj të vjetra në rrjetet sociale, me çka kjo fushatë u rrit dhe AP nuk mundi t’i rezistonte presioneve.

“E gjithë kjo ishte rezultat i një fushate kundër meje. Sipas mendimit tim, AP iu nënshtrua këtyre kërkesave qesharake dhe kërcënimeve të lira”, ka theksuar Wilder, duke u shprehur e lumtur që ka marrë mbështetje serioze në mediat sociale pas largimit nga puna.

Ndryshe, një ndërtesë në Gaza, ku gjendeshin zyrat e AP-së dhe Aljazeera-s, u shkatërrua tërësisht nga sulmet izraelite në rajon. AP e dënoi sulmin në fjalë, ndërsa shumë shtete dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë Shtëpinë e Bardhë, i cilësuan si të papranueshme veprimet që “pengojnë punën e mediave”.