Atentati ndaj biznesmenit në Lezhë, provat që mund të fundosin autorët, çfarë u gjet pranë makinës së djegur

Dalin detaje të reja për atentatin e ndodhur mbrëmjen e së martës në Lezhë kur u qëllua biznesmeni Aleksandër Deda i cili tani ndodhet në spitalin e Traumës jashtë rrezikut për jetën.

Faxweb.al mëson se autorët pasi kanë qëlluar me breshëri plumbash biznesmenin janë larguar me një mjet, i cili pas verifikimeve ka rezultuar tip “Audi”, i vjedhur në Lushnje, ndërsa targat AA481GU janë denoncuar kohë më parë të vjedhura në Lezhë. Ndërkohë, ky mjet është gjetur i djegur në fshatin Pllanë.

Gjatë kontrollit është sekuestruar një arme automatik Mod. 56, dhe në afërsi të mjetit një aparat celular tip “Nokia”. Provat materiale të sekuestruara janë çuar në laborator për t’u analizuar për të hedhur dritë mbi identitetin e autorve. Edhe dëshmia e biznesmenit Aleksandër Deda i cili i mbijetoj atetatit do të jetë rezultati kyç i hetimeve.

Biznesmeni menjëherë pas atentatit i është drejtuar Spitalit të Lezhës dhe gjatë udhëtimit, një automjet tjetër i është vënë në ndjekje. Ndërkohë Deda gjatë rrugës ka bërë disa telefonata me të afërm të tij, duke iu treguar se çfarë i kishte ndodhur.

Edhe pse i plagosur, ai ka mundur të përshkojë distancën rreth 15 km deri afër spitalit. Ndërkohë që gjatë rrugës ai ka humbur sasi të madhe gjaku. Pas mjekimit që ka marrë nga bluzat e bardha të Lezhës, ai është dërguar menjëherë për në Spitalin e Traumës, ku edhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në lidhje me ngjarjen mësohet se janë shoqëruar në polici disa persona, që dyshohet se mund të kenë dijeni, ndërsa pritet dëshmia e të plagosurit, për zbardhjen e ngjarjes dhe kapjen e autorëve. Atentati ndaj biznesmenit, Aleksandër Deda, ndodhi në superstradën Lezhë-Milot pranë një lokali, mbrëmjen e së martës.