Autorët e sulmit terrorist në Ankara nuk mbetën pa u ndëshkuar

Autorët e sulmit terrorist të vitit 2016 u dënuan me burgim të përjetshme, kurse terroristi i cili planifikoi sulmin u neutralizua...

Kanë kaluar pesë vjet që nga sulmi vdekjeprurës terrorist në kryeqytetin turk Ankara, i cili mori 29 jetë dhe plagosi 75 të tjerë, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas informacionit të përpiluar nga AA, grupi terrorist PKK u dëbua në skutë nga operacionet intensive të forcave të sigurisë. Si rezultat, ata sulmuan oficerët civilë dhe personelin ushtarak me një makinë bombë më 17 shkurt të vitit 2016.

Midis viktimave të sulmit gjithashtu kishte dhe civilë në Rrugën Merasim, duke shkaktuar valë reagimesh në gjithë Turqinë. Shumë automjete dhe ndërtesa u dëmtuan gjithashtu.

Sulmi me bombë u krye nga terroristi i PKK-së Abdulbaki Somer, me emrin e koduar Zinar-Raperin, i cili hyri në Turqi nga Siria.

Prokurorët në Ankara thanë se sulmi u mor përsipër nga organizata TAK e lidhur me PKK-në dhe u krye bazuar në udhëzimet nga operativë të lartë të PKK-së.

Ata kërkuan 30 dënime të rënda të përjetshme për 68 të dyshuar, duke përfshirë krerët komandues të PKK-së, Zubeyir Aydar, Cemil Bayik, Murat Karayilan, Fehman Huseyin dhe Remzi Kartal, si dhe për udhëheqësin e degës siriane të grupit PYD, Salih Muslim. Urdhra arresti u lëshuan për 48 persona, përfshirë krerët komandues.

Autorët e krimit nuk mund të largoheshin

Seanca dëgjimore në Gjykatën e Krimeve të Rënda Penale Nr. 14 në Ankara filloi më 14 mars të vitit 2017 dhe përfundoi më 10 shtator 2018.

Sipas vendimit, Kudbettin Onur, Ahmet Karaman, Muharrem Canikli, Hayrettin Tomak, Huseyin Karadas dhe Metin Aslan u dënuan me burgime të rënda secili për prishjen e unitetit dhe integritetit territorial të shtetit dhe 29 dënime të rënda të përjetshme secili për vrasjen e qëllimshme të 29 personave.

Të dënuarit u dënuan gjithashtu me 1.185 vjet burg secili për vrasje në tentativë kundër 75 personave dhe posedim dhe transferim të materialeve shpërthyese. Ata gjithashtu u gjobitën me 33.320 lira turke (mbi 4.700 dollarë) secili për ato krime.

Të pandehurit Bahri Deniz dhe Metin Onur u dënuan me nëntë vjet burg për anëtarësim në një organizatë terroriste.

Për akuza të mashtrimit, Mustafa Bulut, Turgut Kahraman, Huseyin Gokduman, Murat Karacan, Ismail Ipar, Metin Cura dhe Hasan Avsan u dënuan me gjashtë vjet burg dhe 12.000 lira turke (mbi 1.700 dollarë) gjobë gjyqësore secili.

Të pandehurit Serdar Bulut dhe Ugur Yuce u liruan nga të gjitha akuzat.

Dosjet e 50 të pandehurve të arratisur, duke përfshirë të ashtuquajturit anëtarë të lartë të PKK-së, u ndanë.

Terroristët paguajnë për sulmin

Në kuadër të operacioneve të brendshme të sigurisë, forcat e xhandarmërisë në provincën juglindore Diyarbakır filluan një operacion të mbështetur nga ajri më 19 korrik 2019. Terroristi Ishak Ozcaktu, me emrin e koduar Erhan Porsipi, i cili planifikoi, organizoi dhe udhëzoi sulmin me bombë në Rrugën Merasim, u neutralizua në zonat rurale të Lice-s.

Pas operacionit, ministri i Brendshëm Süleyman Soylu shkroi në Twitter: “Porsipi. Sonte do të fle rehat. Ne ishim pas tij për një kohë të gjatë. Stadiumi Inonu, Rruga Merasim, Kayseri, Stambolli, ne morëm hak për të gjithë këto”.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e renditur si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-ja dhe BE-ja, ka qenë përgjegjëse për vdekjet e 40 mijë njerëzve, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnja.