Avioni transportues i Forcave Ajrore të Turqisë me të cilin po evakuohen shtetas turq dhe qytetarë të shteteve tjera, përfshirë një shtetas shqiptar për shkak të epidemisë së koronavirusit të ri nga qyteti Wuhan i Kinës, pas furnizimit me karburant në kryeqytetin e Mongolisë, Ulan Bator, është nisur drejt Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Gazetari i AA-së, Ali Murat Alhas, i cili ndodhet në avionin transportues ushtarak A400M, ka njoftuar se 42 personat e evakuuar nga qyteti Wuhan janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Ai tha se avioni pas një udhëtimi prej 8 orësh do të mbërrijë në Ankara.
Grupi i të evakuuarve prej 42 personave i cili përbëhet nga shtetas turq, azerbajxhanas, gjeorgjianë dhe një shqiptar pritet të mbërrijë në Ankara rreth orës 19:00 sipas kohës lokale.
Avioni transportues ushtarak A400M u nis dje nga Turqia për evakuim
Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka dërguar artikuj mjekësorë përmes avionit transportues ushtarak A400M i cili dje u nis nga Turqia dhe i cili së shpejti pritet të arrijë në Ankara me qytetarët e evakuuar nga qyteti Wuhan, epiqendra e koronavirusit i cili ka përfshirë vendin.
Sipas të dhënave të siguruara nga TIKA, artikujt mjekësorë kanë për qëllim parandalimin e përhapjes së mëtejshme të sëmundjes. Në mesin e mbështetjes së dërguar gjenden një mijë kostume dekontaminimi, 93.500 maska me filter mbrojtës dhe një mijë veshje mbrojtëse njëpërdorimëshe, të cilat po dërgohen përmes avionit të ngarkesave A400M të Forcave Ajrore Turke.


