Kryeministri Edi Rama ka kërkuar ndërhyrje nga Brukseli! Pas takimit të kryedemokratit Lulzim Basha me komisioneren e Bashkimit Europian, Maria Gabriel, Rama ka postuar një mesazh në Twitter, duke kërkuar që Brukseli zyrtar të reagojë lidhur me rastin. Sipas kreut të qevërisë, prania e komisionerit në aktivitetin online politik të Bashës është ndërhyrje në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
Ndër të tjera, Rama shkruan se Komisioni Europian nuk duhet të ndërhyjë në fushatat elektorale, duke shtuar se është në pritje të një përgjigje zyrtare nga BE-ja.
“Dikush në Bruksel duhet t’u thotë komisionerëve që harxhojnë kohën e punës së paguar nga taksat e popujve të Europës, për të bërë videomuhabete elektorale me Lulëzim Bashën, se kjo quhet ndërhyrje në fushatën e brendshme elektorale të një vendi kandidat për në BE! Në dijeninë time Komisioni Europian nuk e ka zakon të fusë hundët në fushatat elektorale dhe unë pres ta mësoj zyrtarisht e publikisht nga Brukseli, nëse e kam unë gabim e ndoshta komisionerët kanë vërtetë të drejtë të bëhen palë kur popujt e Europës zgjedhin qeveritë e tyre!,”-tha Rama.
Gjatë paradites së sotme, kryedemokrati Basha zhvilloi një takim online me Komisioneren, e cila gjatë fjalës së saj i kërkoi takim. Në kryefjalë të takimit ka qenë arsimi në Shqipëri.



