BBC përballet me kritika të ashpra pas hetimeve në lidhje me intervistën e vitit 1995 me Princeshën Diana

Princi William thotë se dështimet e BBC-së "kontribuuan në mënyrë të konsiderueshme" në "frikën, paranojën dhe izolimin e Dianës"

Një raport mbi rrethanat që çuan në intervistën e famshme botërore të BBC-së në vitin 1995 me Princeshën Diana, ka bërë që transmetuesi kombëtar i Britanisë të kritikohet gjerësisht nga djemtë e saj Princi William dhe Princi Harry, qeveria dhe mediat, raporton Anadolu Agency (AA).

Intervista e famshme e Diana-s për Panorama e vitit 1995 me Martin Bashir ka qenë prej kohësh e përfshirë në polemikë për shkak të mënyrës se si u sigurua intervista, si dhe ngurrimit të BBC-së për të hetuar çështjen në thellësi.

Princi William tha se dështimet e BBC-së “kontribuuan në mënyrë të konsiderueshme në frikën e saj (Diana), paranojën dhe izolimin që mbaj mend nga vitet e fundit me të”.

Ndërkohë, Princi Harry tha: “Nëna jonë humbi jetën për shkak të kësaj dhe asgjë nuk ka ndryshuar”.

Ai shtoi se “ajo që më shqetëson thellë është se praktika si këto, madje edhe më të këqija, vazhdojnë të jenë të pranishme edhe sot”.

“Atëherë dhe tani, kjo është më e madhe se një media, një rrjet, ose një publikim”, theksoi ai, duke shtuar: “Nëna jonë humbi jetën për shkak të kësaj dhe asgjë nuk ka ndryshuar. Duke mbrojtur trashëgiminë e saj, ne mbrojmë të gjithë dhe mbajmë dinjitetin me të cilin ajo jetoi jetën e saj. Le të kujtojmë se kush ishte ajo dhe çfarë përfaqësonte”.

William bëri thirrje që intervista të mos transmetohet më kurrë dhe e bëri të qartë se nëna e tij nuk u mashtrua vetëm nga një “reporter mashtrues” por nga drejtues të nivelit të lartë të BBC-së “të cilët shikuan në anën tjetër, në vend se të bënin pyetje të vështira”.

Ai shtoi se intervista pati “një kontribut të madh për përkeqësimin e marrëdhënieve mes prindërve të mi dhe që nga ajo kohë ka lënduar të tjerë të panumërt”.

Gazetari i BBC, Bashir “mashtroi dhe induktoi” vëllain e Princesësh Diana

Siç dihet, Diana në intervistë tha: “Ne ishim tre në këtë martesë”, duke iu referuar vetes, Princit Charles dhe Camilla Parker Bowles, dukeshës së Cornwall, e cila nga viti 2005 u martua me Charles.

Hetimi i pavarur ndaj intervistës së BBC-së zbuloi se Bashir “mashtroi dhe induktoi” vëllain e Princesësh Diana, Earl Spencer, për të siguruar intervistën. Bashir javën e kaluar u largua nga BBC, duke potencuar probleme shëndetësore.

Ai falsifikoi deklaratat bankare në mënyrë që të fitonte qasje tek Diana, tregoi hetimi i pavarur.

Kjo ishte një “shkelje serioze” e parimeve të BBC-së, thuhet në raport, duke shtuar: “Pa justifikim, BBC nuk arriti standardet e larta të integritetit dhe transparencës që janë shenja e saj dalluese”.

Hetimi i pavarur gjithashtu zbuloi se hetimi fillestarë i brendshëm i BBC-së në vitin 1996 ishte “jashtëzakonisht i paefektshëm” dhe “nuk e shqyrtoi me hollësi rrëfimin e Bashirit me shkallën e nevojshme të skepticizmit dhe kujdesit” edhe pse disa nga gënjeshtrat e tij ishin të njohura.

Hetimi shtoi se Bashiri “nuk ka mundur ose nuk ka dashur” të jepte një shpjegim të kënaqshëm se pse kishte bërë deklaratat false.

Diana dhe ‘zhgënjimi’ i publikut

William gjithashtu në deklaratën e tij tha: “Në një epokë të lajmeve të rreme, transmetuesi i shërbimit publik dhe shtypi i lirë nuk kanë qenë kurrë më të rëndësishëm. Këto dështime, të identifikuara nga gazetarët hulumtues, jo vetëm që zhgënjyen nënën dhe familjen time; ata e zhgënjyen edhe publikun”.

BBC u ka kërkuar falje me shkrim Princave William dhe Harry-it, si dhe Princit Charles dhe Earl Spencer.

Bashir gjithashtu kërkoi falje lidhur me raportin, duke thënë se falsifikimi i deklaratave bankare ishte “një marrëzi që kishte bërë dhe ishte një veprim për të cilin pendohet shumë”. Ai megjithatë këmbënguli se “nuk kishte asnjë ndikim në përzgjedhjen personale të Princeshësh Diana për të marrë pjesë në intervistë”.

Sekretari i kulturës i qeverisë britanike, Oliver Dowden, tha se raporti “zbulon dështime mallkuese në zemër të BBC-së” dhe se “ne tani do të reflektojmë dhe do të shqyrtojmë nëse duhen reforma të mëtejshme të menaxhimin e BBC-së”.

Veçmas, Harry gjithashtu tha se ai kishte përdorur pije dhe drogë për të përballuar vdekjen e nënës së tij dhe se Familja Mbretërore nuk ka ndihmuar atë me shëndetin e tij mendor më vonë në jetë.

“Kamerat më vlonin gjakun”

Gjatë një intervistë me Oprah në kuadër të serialit të ri televiziv, ai tha: “Klikimi i kamerave dhe ndezja e kamerave më shkaktonte vlimin e gjakut. Kjo më bën të zemërohem dhe më kthen tek ajo çfarë i ka ndodhur nënës sime dhe përvojës time si fëmijë”.

“Unë isha aq i zemëruar me atë që i ndodhi asaj dhe faktin që nuk kishte drejtësi fare. Asgjë nuk doli nga kjo. Të njëjtët njerëz që e ndoqën atë në tunel e fotografuan atë duke vdekur në sediljen e pasme të asaj makine”, vazhdoi ai.

Gjatë të njëzetave të tij të vonshme dhe të tridhjetave, ai tha se vuante nga sulmet e ankthit dhe panikut, “duke u tmerruar çdo herë që hipi në makinë ose kur shoh kamera”.

Lidhur me marrëdhëniet e tij me Meghan Markle, gruan e tij që nga viti 2018 dhe dukeshën e Sussex, në lidhje me vëmendjen negative të mediave që mori, ai tha se shkoi tek familja mbretërore për ndihmë, por u injorua.

“Jam ndjerë plotësisht i pafuqishëm. Mendova se familja ime do të më ndihmonte, por çdo çështje, kërkesë, paralajmërim, çfarëdo qoftë, hasa në një heshtje ose neglizhencë totale”, tha ai, duke shtuar: “Kemi kaluar katër vjet duke u përpjekur që të funksionojë. Ne bëmë gjithçka të mundshme për të qëndruar atje dhe për të vazhduar më tej rolin dhe kryerjen e detyrës”.

Në janar 2020, Harry dhe Meghan u tërhoqën nga roli i tyre si anëtarë të lartë të familjes mbretërore, me raporte që qarkullonin në shtyp për një përçarje në gjirin e familjes mbretërore.