“Turqia eksporton të gjitha llojet e armëve të lehta, topa, helikopterë, anije dhe dronë”

Shefi i mbrojtjes turke theksoi se Turqia ka bërë përparim të madh në sektorin e industrisë së brendshme dhe kombëtare të mbrojtjes në vitet e fundit, kryesisht falë udhëheqjes së Presidentit Recep Tayyip Erdoğan

Ministri turk i Mbrojtjes Hulusi Akar theksoi se Greqia vazhdon me provokime, duke potencuar se kjo nuk është zgjidhja dhe se Turqia dëshiron që të gjitha problemet të zgjidhen në përputhje me ligjin ndërkombëtar, raporton Anadolu Agency (AA).

“Fqinjët tanë grekë po bëjnë çdo përpjekje për të provokuar dhe sabotuar këtë kurs pozitiv me veprimet dhe retorikën e tyre. Unë dua t’ua rikujtoj se kjo nuk është rrugëdalja dhe zgjidhja”, tha Akar gjatë një kontrolli të anijes sulmuese shumëdimensionale TCG Anadolu, e cila është ende në ndërtim e sipër në kantierin Sedef në Stamboll.

Akar ishte i shoqëruar gjithashtu nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Gjenerali Yaşar Güler, Komandanti i Forcave Tokësore Gjenerali Ümit Dündar, Komandanti i Forcave të Marinës Admirali Adnan Özbal dhe Komandanti i Forcave Ajrore Turke Gjenerali Hasan Küçükakyüz.

Në fjalimin e tij, Akar theksoi se Turqia ka bërë përparim të madh në sektorin e industrisë së brendshme dhe kombëtare të mbrojtjes në vitet e fundit, kryesisht falë udhëheqjes së presidentit Recep Tayyip Erdoğan.

Ai gjithashtu tha se Turqia do të vazhdojë të bëjë hapat e nevojshëm për të forcuar më tej industrinë e mbrojtjes në vitet e ardhshme.

Ai shtoi se industria e mbrojtjes së brendshme dhe kombëtare e Turqisë ka kohë që prodhon sisteme të rëndësishme mbrojtëse, komponentë dhe nënsisteme, duke theksuar se Turqia tashmë eksporton të gjitha llojet e armëve të vogla, topave, helikopterëve, anijeve, dronëve, dronëve të armatosur dhe pajisjeve elektronike të industrisë së mbrojtjes.

Ai gjithashtu rikujtoi se Turqia po vazhdon me sukses luftën kundër terrorizmit brenda dhe jashtë vendit.

“Objektivi ynë i vetëm në këtë luftë janë terroristët”, tha Akar, duke shtuar se 124 terroristë janë neutralizuar deri më tani në operacionet “Kthetra-Rrufeja” dhe “Kthetra-Vetëtima”.

“Kemi shkatërruar strehimoret e terroristëve dhe ne vazhdojmë t’i shkatërrojmë ato. Në luftën kundër terrorizmit, 1.107 terroristë janë neutralizuar që prej 1 janarit”, tha Akar, duke shtuar se është e qartë se nuk ka asnjë dallim midis YPG-së dhe PKK-së.