BE mbështet Kosovën me 26.5 milionë euro në luftën ndaj COVID-19

Kjo mbështetje e re e BE-së do t’i sigurojë buxhetit të Kosovës fonde për zbutjen e ndikimit socio-ekonomik të krizës së COVID-19 mbi qytetarët dhe bizneset e Kosovës

Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Kosovës nënshkruan sot një kontratë me vlerë prej 26.5 milionë euro që do t’i ndihmojnë Kosovës të adresojë pasojat e pandemisë COVID-19, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç u bë e ditur nga Zyra e BE-së në Kosovë, pagesa e parë prej 20.5 milionësh pritet që të jepet përpara fundit të këtij viti.

Kjo mbështetje e re e BE-së do t’i sigurojë buxhetit të Kosovës fonde për zbutjen e ndikimit socio-ekonomik të krizës së COVID-19 mbi qytetarët dhe bizneset e Kosovës.

“Në veçanti, fondet e BE-së do të përdoren për t’u ndihmuar mikro-ndërmarrjeve dhe të vetë-punësuarve për të rritur likuiditetin e tyre financiar përmes Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, për grante dhe subvencione për fermerët, si dhe për t’u ndihmuar komuniteteve jo-shumicë që janë goditur më rëndë nga pandemia. Fondet e BE-së do të mbështesin edhe bizneset e fokusuara në eksportimin e mallrave dhe shërbimeve”, thuhet në njoftimin e BE-së.

Udhëheqës i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, shprehu kënaqësinë për mundësinë që Kosova të ndihmohet sërish me ndihmë konkrete nga BE-ja.

“Kosova dhe pjesa tjetër e Evropës janë në mes të pandemisë COVID-19. Më vjen mirë që përmes kësaj mbështetjeje, BE-ja do të jetë në gjendje t’u ndihmojë bizneseve dhe grave dhe burrave të cenueshëm për të përballuar vështirësitë financiare me të cilat përballen në këtë situatë të vështirë”, tha Szunyog.

Kontrata u nënshkrua nga Ambasadori Szunyog dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, pas një takimi ku Qeveria u zotua të hartojë kritere të qarta dhe masa të targetuara mirë për përdorimin e fondeve.

Si BE-ja ashtu edhe Qeveria theksuan rëndësinë e procedurave transparente të prokurimit publik për të fituar besimin e publikut. Në këtë drejtim, Qeveria u dakordua të zhvillojë ligjin e ri të prokurimit publik, duke ndjekur praktikat më të mira legjislative.

Qeveria gjithashtu u zotua të vëzhgojë Ligjin për Organizimin e Administratës Shtetërore gjatë dizajnimit të strukturave të reja të brendshme të ministrive dhe të shikojë legjislacionin e ri për rekrutimin e administratës shtetërore “në mënyrë që të vendoset një administratë publike që funksionon më mirë dhe është e depolitizuar”.