EULEX tregon si e identifikoi lokacionin e saktë ku u zbuluan mbetjet mortore në Serbi

“Puna në Kizhevak është larg nga të përfunduarit. Procesi është shumë i ndërlikuar dhe merr shumë kohë”, njofton EULEX

Ekspertët e Misionit të Bashkimit Evropian (BE) për Sundimin e Ligjit (EULEX) në Kosovë kanë njoftuar për procesin se si erdhën deri tek zbulimi i mbetjeve mortore në një gurore në Kizhevak, afër Rashkës në Serbi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Mbetjet mortore të cilat nga autoritetet kosovare dyshohet se janë të shqiptarëve të bartura atje në kohën e luftës së vitit 1999, u zbuluan të hënën e 16 nëntorit nga ekspertët e EULEX-it, ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe Komisionit Qeveritar të Serbisë për Personat e Zhdukur.

Sipas njoftimit nga EULEX, ekspertët e këtij misioni kanë kryer gërmime në Kizhevak që prej vitit 2015.

“Problemi ishte se këto janë lokacione guroresh të mëdha dhe se peizazhi ka pësuar ndryshime të vazhdueshme me kalimin e kohës për shkak se kjo gurore ka qenë në përdorim ende për një numër të viteve”, tha Javier Santana, arkeolog forenzik i EULEX-it.

Procesi i identifikimit të vendndodhjes së saktë të mbetjeve mortore sipas EULEX ishte komplikuar edhe më shumë për shkak të faktit se në këtë minierë janë katër deri pesë galeri ku secila ka një lartësi prej përafërsisht 13 metrash.

Për këtë, EULEX ka marrë në vitin 2019 imazhe fotografike nga ajri të vitit 1999 të lokacionit, ndërsa vendndodhja u piketua në muajin shkurt të vitit 2020 kur edhe filloi puna e kërkimit.

“Puna në Kizhevak është larg nga të përfunduarit. Procesi është shumë i ndërlikuar dhe merr shumë kohë. Për të pasur mundësi të vazhdohet puna, duhet të ketë një urdhër gjykate. Pas kësaj, hapi tjetër është që të vazhdohet me zhvarrimet dhe gjetjen e mbetjeve mortore. Pasi të gjinden mbetjet mortore, duhet të bëhet autopsia dhe do të merren mostrat e eshtrave për testet e profilit të ADN-së”, tha koordinatori i EULEX-it për zhvarrime, Krassimir Nikolov.

Ai tha se “Në rastet ku të afërmit e ndonjë personi të zhdukur i kanë dhënë mostrat e gjakut dhe do të ketë raport për përputhje pozitive të ADN-së, procesi i identifikimit përfundon. Pastaj, familjet informohen për identifikimin dhe atyre u dorëzohen mbetjet mortore të personit të zhdukur”.

Misioni i EULEX-it e konsideron zbulimin e mbetjeve mortore në Kizhevak “një zhvillim tejet pozitiv dhe shpërblim për përpjekjet e vazhdueshme në ndriçimin e fatit të më shumë se 1.640 personave, të cilët janë ende të pagjetur në Kosovë”.

Misioni u bëri thirrje të afërmve të të gjithë personave të zhdukur që t’i japin mostrat e gjakut për ta lehtësuar procesin e identifikimit të tyre.

Nga fillimi i mandatit të EULEX-it deri më 19 nëntor 2020, EULEX-i i ka kryer 662 operacione në terren për gjetjen e personave të zhdukur, përfshirë 169 zhvarrime. Janë identifikuar mbetjet mortore të 457 personave, përfshirë edhe ato të 317 personave të zhdukur, duke përjashtuar operacionin e fundit ku nuk dihet numri i trupave të gjetur.

Lajme të ngjashme