BE vazhdon mbështetjen për Kosovën në luftën kundër COVID-19

"Besoj në veçanti se 30 respiratorë për kujdesin intensiv mund të bëjnë një ndryshim të madh dhe të lehtësojnë problemet në trajtimin e atyre që janë prekur rëndë nga infeksioni me COVID-19", tha Serri, njoftohet nga Zyra e BE-së në Kosovë

Bashkimi Evropian (BE) ka dorëzuar sot në Kosovë pjesën e pestë dhe të fundit, të ndihmës emergjente në vlerë prej pesë milionë euro për luftimin e pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Ushtruesi i detyrës së Shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Riccardo Serri, i dorëzoi ministrit të Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj, 30 respiratorë për kujdes intensiv, 200 oksimetër pulsi dhe 20 elektrokardiografë.

Vlera e përgjithshme e këtij donacioni është thuajse 900.000 euro dhe është pjesë e ndihmës së BE-së për Kosovën në vlerë prej 5 milionë euro për asgjësimin e pandemisë COVID-19. Ato janë siguruar përmes Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projektit (UNOPS).

“Besoj në veçanti se 30 respiratorë për kujdesin intensiv mund të bëjnë një ndryshim të madh dhe të lehtësojnë problemet në trajtimin e atyre që janë prekur rëndë nga infeksioni me COVID-19”, tha Serri, njoftohet nga Zyra e BE-së në Kosovë.

Ai nënvizoi se Kosova nuk mund të lejojë përkeqësimin e mëtejshëm në situatën rreth pandemisë COVID-19. “Të gjithë duhet të marrin përgjegjësi dhe të respektojnë rregullat, të tilla si mbajtja e distancës fizike, vendosja e maskës, larja e duarve, shmangia e turmave, siç bëjmë ne sot gjatë kësaj ngjarje”, tha ai.

Ai theksoi se qeveria e Kosovës duhet t’i kushtojë vëmendje urgjente luftës kundër pandemisë.

“Do të dëshiroja të shfrytëzoj këtë mundësi që t’i bëjë thirrje qeverisë dhe institucioneve shëndetësore të bëjnë përgatitjet e nevojshme lidhur me ndarjen e buxhetit dhe burimet tjera për t’u përgatitur sa më mirë që munden”, tha Serri.

Në prill, maj, qershor dhe korrik, BE dërgoi 10 ambulanca, 190 shtretër spitalore, 6.000 komplete testimi për COVID-19, 150 pompa infuzioni, 127 monitor të pacientëve, 1,6 milion doreza të ndryshme mbrojtëse mjekësore, 127.000 maska për respiratorë në Kosovë, 23.000 vizirë, 3.000 syze mbrojtëse dhe pajisje tjera mjekësore.

Përveç kësaj ndihme të drejtpërdrejtë për sektorin e shëndetësisë, BE e ndihmon Kosovën me rreth 63 milionë euro si ndihmë afatmesme socio-ekonomike dhe rreth 100 milionë euro hua si ndihmë makroekonomike për Kosovën.