Berisha: ‘Ballkani i Hapur’ vdiq dy ditë më parë në Maqedoninë e Veriut

Ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar sot në Kamëz takimin e radhës të “Foltores”. Nuk munguan akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama, që së fundi e akuzoi se ka çuar në parlament një ligj që i hap rrugën trafikimit të fëmijëve.

Ai tha më tej se PD këto 8 vite shkau majtas dhe drejt greminës dhe se George Soros u vërsul mbi të djathtën shqiptare me tërbim. Sipas tij, ai me bilionat e tij punon ditë e natë të shkatërrojë vlerat e konservatorizmit dhe të njëjtën gjë bëri në Shqipëri, por se PD do të ngrihet si forcë konservatore dhe më e fuqishme se kurrë. Berisha komentoi edhe zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut duke e cilësuar kryeministrin Zaev një aventurier dhe sulmoi sërish nismën “Ballkani i Hapur”.

“Keni ndërtuar këtu ëndrrat më të bukura tuajat dhe fëmijëve tuaj. Cilido që do të prekë sakrificën njerëzore e këshilloj të vijë në Kamëz dhe Paskuqan, të rishohë pamjet e 30 viteve më parë dhe t’i krahasojë me pamjet e sotme, janë dy botë.

Foltorja është misioni i madhi i dytë në 30 vitet e fundit, kurse ju demokratët dhe demokratet e Kamzës dhe mbarë Shqipërisë jeni misionarët e saj të sigurt në fitoren e ardhshme të PD-së. Ne qëndrojmë fuqishëm pas një kauze, e cila është kauza themelore e lirisë. Është kauza e lirisë, e qytetarit që do të jetojë me nder e dinjitet. Është kauza e qytetarëve që e kuptojnë dhe besojnë se pa pluralizëm të vërtetë politik nuk ka liri. Liria është shkretëtirë e vdekur. Është kauza e burrave dhe grave që jetojnë me djersën e ballit të tyre, që jetojnë të lirë dhe që besojnë që Shqipërinë mund ta ngrenë në lartësinë e ëndrrave të tyre, por si njerëz të lirë, me dinjitet, si shoqëri sovrane, e cila lufton për liritë e individit, për familjen, shenjtërinë e saj, për vendin dhe interesin kombëtar, për pronën dhe të gjitha të drejtat e njeriut. Misioni juaj është i madh. Është rikthimi i PD-së në vlerat e partisë konservatore, në vlerat e saj.
Pyeteni veten pse 30-40% e vëllezërve e motrave tanë nuk dalin në votime. Pse ata nuk votojnë PD-në? Se PD këto 8 vite i braktisi ata. I braktisi vlerat që ata besojnë, shkau majtas dhe drejt greminës. Ata presin ju, presin ne t’i rikthejmë vlerat partisë sonë, ta shndërrojmë atë në lokomotivë të zhvillimit të Shqipërisë. Ju jeni misionarë të një misioni të madh. PD ndodhet në këtë periudhë në ditë kritike, mafia më e rrezikshme e planetit e kryesuar nga multimiliarderi George Soros u vërsul me tërbim mbi të djathtën shqiptare. Soros nuk është Amerika, është një armik i egër i aleatëve tanë të vërtetë, republikanëve amerikanë. Ai me bilionat e tij punon ditë e natë të shkatërrojë vlerat e konservatorizmit. Të njëjtën gjë bëri në Shqipëri. Jemi këtu për t’u zotuar se në Shqipëri do ngrihet një forcë konservatore, PD më e fuqishme se kurrë në 30 vite”, deklaroi Berisha.

Sipas tij, vlerat që ne besojmë janë më të rrezikuara se kurrë. “Ne i besojmë familjes, si themeli i shoqërisë, Rama futi në shkollë numërtimin e prindërve.
Tani ka çuar në parlament ligjin për t’i hapur rrugë trafikimit të fëmijëve, nëpërmjet adaptimit. Nuk kam asgjë kundër adaptimit, por t’i besosh fëmijën atij që është krejt i vetëm, në kushtet kur je shtet narkotrafiqesh e bën objekt trafikimi.
Save the Children ka publikuar studimin e tij, ku thotë se fëmijët në Shqipëri janë 2 herë më të rrezikuar se në Kosovë, nuk flas për vendet e tjera. Ku tregon se fëmijët e Shqipërisë zënë vendin e parë në rrugët e Europës si fëmijë të trafikuar. Dhe ky tani që vetëm shqiptar nuk është do ta miratojë ligjin të trafikimit të fëmijëve. Misioni juaj është i madh dhe është në kohë kritike”, tha ai.
Berisha e cilësoi zhvillim pozitiv rezultatin në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut duke theksuar se aty ku u pagëzua me emrin e George Soros Ballkani i Hapur aty dhe vdiq 2 ditë më parë nga vota e qytetarëve të Maqedonisë
“Si fantazmë në Ballkanin e pasluftërave shëtit aleanca trilaterale Beograd-Tiranë-Shkup, kryekëput kundër Kosovës dhe kombit shqiptar. Unë e përshëndes qeverinë e Kosovës që qëndroi e palëkundur kundër kësaj nisme që sjell konfliktualitet, që rikthen hegjemoninë e Beogradit në rajon që shndërron Shqipërinë dhe Maqedoninë në vasal të Beogradit. E rrethon Kosovën. Ka nevojë për bashkëpunim mes vendeve të barabarta, jo për hegjemonizma.
Një përshëndetje zgjedhësve të Maqedonisë së Veriut që ia prenë biletën një aventurieri i cili me aventurën e tij, e shndërroi Maqedoninë e Veriut në mollë sherri midis Serbisë dhe Bullgarisë. Ky politikan i verbër harroi se për Beogradin nuk ka qenë gjë tjetër vetëm juzna Serbia. Ky vrapoi drejt Beogradit njëlloj sikur të ishte i biri i Pashiqit. Zhvillimi i madh pozitiv në Maqedoninë e Veriut ishte se aty ku u pagëzua me emrin e George Soros Ballkani i Hapur aty dhe vdiq 2 ditë më parë nga vota e qytetarëve të Maqedonisë”, tha Berisha.