Prokuroria bën bilancin për krimet zgjedhore, ja sa persona janë ndëshkuar

Prokuroria ka bërë bilancin e shkeljeve që janë bërë në periudhën para, gjatë dhe pas zgjedhjeve të 25 prillit.

Nga raportimet e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm mbi veprat penale në fushën e zgjedhjeve për periudhën parazgjedhore rezulton se prokuroritë kanë regjistruar procedimin penal për 82 njoftime për vepra penale në lidhje me zgjedhjet, prej të cilave 2 janë regjistruar.

Ndërkohë janë 10 persona që po ndiqen penalisht. Prokuroria njofton se janë arrestuar në flagrancë 4 persona. Është kërkuar masa e sigurisë “arrest në burg” për 3 persona dhe është pranuar kërkesa për 2 persona.

Në total, Prokuroritë kanë marrë 158 njoftime për vepra penale në fushën e zgjedhjeve prej të cilave, 91 drejtpërdrejt në prokurori. Nga këto të fundit 70 njoftime përbëjnë kallëzime të subjekteve politike/kandidatëve drejtpërdrejt në prokurori, 3 njoftime të shtetasve në prokurori dhe 18 njoftime të institucioneve shtetërore në prokurori.

Po ashtu, nga çështjet e regjistruara kanë përfunduar me vendim pushimi 20 çështje me 2 persona ne hetim. Ndërkohë janë pezulluar 3 cështje dhe janë në gjykim 4 çështje me 4 persona.

Në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm janë në proces verifikimi paraprak 13 njoftime për veprat penale në fushën e zgjedhjeve. Në njoftim thuhet se janë transferuar për kompetencë lëndore SPAK-ut 24 njoftime dhe është vendosur mosfillimi i procedimit penal për 34 njoftime.