Berisha prezantoi Bardh Spahinë në Shkodër, reagon PD: U shfaq aleanca e non grata-ve, ish-kryeministri nuk tha asnjë fjalë për Tom Doshin, por sulmoi demokratët

Partia Demokratike ka reaguar pas takimit elektoral të ish-kryeministrit Sali Berisha në Shkodër, ku prezantoi kandidatin e tij për zgjedhjet e 6 marsit, Bardh Spahinë.

Në një postim në rrjete sociale, PD thotë se në Shkodër u shfaq aleanca e non gratave. Ata theksojnë më tej, se nuk u tha asnjë fjalë për Tom Doshin dhe u shpalos vrerë e mllef ndaj demokratëve të ndershëm.

“Kandidatët e “Shtëpisë së Ilirit” kanë vetëm një mision, të bëhen mburojë e non grates dhe të dëmtojnë Partinë Demokratike, për hallet dhe interesat e tyre. Demokratët e ndershëm shkodranë nuk mund të pranojnë të poshtërohen me kandidatë të LSI-së, që t’i përdorin më pas për pazarin e radhës me Edi Ramën, siç bëri në 2013-ën”, thuhet më tej në deklaratë.

Deklarata e PD:

Aleanca e non gratave u shfaq edhe në Shkodër. Asnjë fjalë për Tom Doshin, vrerë e mllef ndaj demokratëve të ndershëm që qëndrojnë sot kryelartë para çdo shkodrani e shqiptari, që as nuk kanë abuzuar me pushtetin e tyre dhe as nuk i kanë mashtruar si ata që rrethojnë non gratën. Mashtrimet nuk e shpëtojnë dot.
Kandidatët e “Shtëpisë së Ilirit” kanë vetëm një mision, të bëhen mburojë e non grates dhe të dëmtojnë Partinë Demokratike, për hallet dhe interesat e tyre. Demokratët e ndershëm shkodranë nuk mund të pranojnë të poshtërohen me kandidatë të LSI-së, që t’i përdorin më pas për pazarin e rradhës me Edi Ramën, siç bëri në 2013-ën.
Demokratët nuk do të kthehen kurrë në shërbëtorë të aleancës së non gratave. Ata dhe çdo shqiptar e di se çdo votë për Berishën dhe Metën mban Ramën, çdo votë për Ramën mban Berishën dhe Metën.