Berlin, mbi 90 të arrestuar gjatë protestave

Të paktën 15.000 njerëz u tubuan në mënyrë paqësore në Berlin të shtunën për të shprehur revoltën për vdekjen e afro-amerikanit George Floyd

Pas një dite protestash antiraciste në gjithë Evropën, policia e Berlinit njoftoi se janë arrestuar 93 persona gjatë protestaeve në kryeqytetin gjerman, shumica e tyre pas mbarimit të tubimit kryesor, transmeton Anadolu Agency (AA).

Të paktën 15.000 njerëz u tubuan në mënyrë paqësore në Berlin të shtunën për të shprehur revoltën për vdekjen e afro-amerikanit George Floyd më 25 maj, e cila ka shkaktuar protesta globale kundër racizmit dhe brutalitetit të policisë.

Policia tha se disa oficerë dhe një fotoreporter u plagosën në Berlin kur u hodhën shishe dhe gurë nga turma që ishte mbledhur pavarësisht urdhrave të policisë për largimin nga Sheshi Alexander një orë pas përfundimit të demonstratës. Policia e Berlinit tha se 28 oficerë pësuan lëndime të lehta në përleshje.

Afro-amerikani Floyd vdiq pasi një polic i bardhë në Minneapolis i vendosi gjurin në qafë përkundër përgjërimeve të tij se nuk po mund të merrte frymë.

Në Britani, kryeshefja e policisë në vend tha se 14 oficerë u plagosën të shtunën gjatë përleshjeve me protestuesit në Londrën qendrore pas një demonstrate kryesisht paqësore nën moton “Jeta e njerëzve me ngjyrë ka vlerë”, ku morën pjesë dhjetëra mijëra njerëz.

Në qytetin port francez të Marsejës, policia hodhi gaz lotësjellës dhe spërkatës në përleshje me protestuesit që hodhën shishe dhe gurë në demostratat të shtunën.

Në tubim u mblodhën më shumë se 2.000 njerëz. Protestuesit u ulën në një gju para policëve, ku mbajtën fjalime dhe brohorisnin përpara se të nisnin një marshim nëpër qytet nga porti i tij i famshëm dhe i vjetër në Mesdhe. Por pjesa e pasme e turmës gjatë marshimit përfundoi në kaos me përleshje midis policisë dhe protestuesve.

Një marsh antiracist gjithashtu u mabjt të shtunën në Paris, përkundër ndalesës nga policia, por përfundoi në mënyrë paqësore.