BERZH do financojë rrugën e Shirokës dhe Zogajt, Thethi drejt fundit

Projekti për mundësimin e infrastrukturës së turizmit prej 40 milionë euro mbështetur nga Bashkimi Europian (BE) dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka si pjesë të tij financimin e rrugës së Shirokës-Zogajt e deri në kufirin me Malin e Zi.

Kjo zonë e njohur për potencialin e saj turistik do të jetë nën rikonstruksion dhe përmirësim edhe për infrastrukturën që lidhet me furnizimin me ujë si dhe ujërat e përdorura. Fondi Shqiptar i Zhvillimit shpalli këtë të enjte procedurën ku operatorëve të interesuar u lihet afat deri më 22 dhjetor për të shprehur interesin për këtë projekt.

“Segmenti i rrugës përfshin 6.4 kilometra lidhet me rrugën që te çon drejt urës së vjetër të Bunës dhe me rrugën 7 Binjakët në zonën Rrethina, Bashkia Shkodër. Ky segment është shumë i rëndësishëm pasi rregullon trafikun por edhe i shërben zonës turistike Shirokë-Zogaj. Projekti gjithashtu parashikon “Kanalizimet për ujërat e përdorura si dhe sistemin e kullimit të shirave në qendrat e banuara; Liria, Shiroka dhe Zogaj ”. Në këtë fazë të parë të projektit, të quajtur Loti I, jepet vetëm shtrirja e tubave, me dhe pa presion të ujërave të ndotura të kanalizimeve dhe kullimit të ujërave sipërfaqësore të qendrave të banuara; Liria, Shiroka dhe Zogaj, përgjatë rrugës” thuhet në dokumentin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit që është edhe autoriteti publik i ngarkuar me zbatimin e projektit.

Zona e Shirokës nuk është e vetmja që do t’i nënshtrohet ndërhyrjes kur vjen fjala tek potencialet turistike të zonës veriore të vendit. Tashmë edhe rruga që të çon në Theth nga Qafa e Thorres është drejt përfundimit. Ky është një tjetër projekt që po mbështetet nga një institucion financiar ndërkombëtar siç është Banka Botërore. Edhe ky projekt erdhi në kuadër të përmirësimit të infrastrukturës në disa zona me potencial turizmin ku ndër të tjera ishte edhe Tushemishti.

FSHZH bëri me dije se rruga Qafë Thorre-Theth tashmë është në fazën e hedhjes së asfaltit dhe pritet të përfundojë shumë shpejt. Janë të paktën 16 kilometra që po asfaltohen duke lehtësuar kështu aksesin në një nga zonat më interesante në vend dhe ku numri i strukturave akomoduese ka ardhur në rritje vit pas viti.

/Revista Monitor