Biden thotë se angazhimi i SHBA-së ndaj NATO-s është “i palëkundur”

Presidenti Biden tha se është jetike për të frenuar kërcënimet e paraqitura nga Kina dhe Rusia, të cilat ai akuzoi se po përpiqen të minojnë demokracitë dhe dobësojnë NATO-n.

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha të premten se angazhimi i SHBA-së për aleancën e NATO-s është i “palëkundur”. Ai premtoi se do ta respektojë parimin e vendeve anëtare të NATO-s, sipas së cilit, një sulm ndaj një anëtari është një sulm ndaj të gjithëve.

Deklarata e tij është në kundërshtim me paraardhësin e tij, Donald Trump, i cili e quajti aleancën 30-anëtarëshe të vjetëruar dhe në një moment kishte thënë se Uashingtoni mund të tërhiqej nga ajo.

“Shtetet e Bashkuara janë plotësisht të përkushtuara në aleancën tonë të NATO-s dhe unë mirëpres investimin tuaj në aftësitë ushtarake që mundësojnë mbrojtjen tonë të përbashkët”, tha Biden në një fjalim online në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih.

Ky është “kthim i Amerikës”, tha Biden.

Presidenti amerikan njoftoi se ushtria amerikane po kryente një rishikim gjithëpërfshirës të angazhimit të saj në të gjithë botën, dhe se ai kishte hequr urdhrat për tërheqjen e trupave amerikane nga Gjermania. Ky vendim ishte marrë nga administrata e ish-presidentit Donald Trump.

Përveç kësaj, Biden tha se ai kishte hequr një kufizim të vendosur nga administrata e mëparshme për numrin e forcave amerikane që mund të ishin të vendosura në Gjermani.

Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer mirëpriti vendimin e presidentit Biden.

“Ne e kuptojmë qartë këtë angazhim të Amerikës për sigurinë evropiane, një NATO të fortë dhe një Perëndim të bashkuar”, i tha ajo agjencisë Reuters.

Udhëheqësit e lartë të sigurisë në botë mblidhen një herë në vit në kuadër të Konferencës së Sigurisë së Mynihut.

Presidenti Biden tha se është jetike për të frenuar kërcënimet e paraqitura nga Kina dhe Rusia, të cilat ai akuzoi se po përpiqen të minojnë demokracitë dhe dobësojnë NATO-n.

Biden përmendi Ukrainën si një shembull, duke thënë se mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës nga agresioni rus ishte “shqetësim jetësor” për Shtetet e Bashkuara dhe Evropën.

Biden paralajmëroi aleatët se bota është në një “pikë kyçe” në betejën ideologjike midis vlerave demokratike dhe atyre autokratike.

“Kjo është një pikë lakimi. Historianët do ta shqyrtojnë dhe shkruajnë për të. Unë besoj me gjithë qenien time se demokracia duhet të mbizotërojë”, ka thënë Biden.

Ai akuzoi Kinën për “abuzime ekonomike” dhe tha se kompanitë e saj duhet të luajnë me të njëjtat rregulla si vendet Amerikane dhe Evropiane.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg gjithashtu akuzoi Kinën dhe Rusinë se po punojnë kundër rendit ndërkombëtar.

“Ky rend po sfidohet nga fuqitë autoritare. Evropa dhe Amerika e Veriut duhet ta mbrojnë atë “, tha Stoltenberg.

Gjatë fjalimit të tij presidenti Biden tha se administrata e tij do të punojë me Evropën dhe “partnerë të tjerë” për të adresuar “aktivitetet destabilizuese të Iranit në të gjithë Lindjen e Mesme”.