Blerjet online, Shqipëria e fundit në Europë

Edhe pse në Shqipëri bizneset po funksionojnë prej vitesh me shitjet nëpërmjet internetit, sipas raportit të Eurostat rezulton se sërish shqiptarët janë të fundit në Evropë për blerjet online.

“Nuk më pëlqen të blej online sepse malli më ka ardhur difektoz. Është ndryshe nga ç’të thonë. Nuk kam besim. Është ndryshe kur shkon fizikisht në dyqan për ta provuar ta shohësh me sy vetë!”, shprehen qytetarët.

Pavarësisht përshtypjes së njerëzve, pjesa më e madhe e tyre e ka provuar eksperiencën e porosisë virtuale sidomos gjatë periudhës së izolimit prej pandemisë së Covid 19. Pazari online ka pësuar një rritje në Bashkimin Europian, ku vendin e parë e mbajnë anglezët. ndërsa në rajonin e Ballkanit perëndimor për blerjet online kryeson Kosova.

Përdorimi i internetit nga të rinjtë 25-34 vjeç ndikon që të jenë konsumatorët më të rregullt të porosive online, në krahasim me personat mbi 65 vjeç të cilët kanë përdorur internetin për blerje vetjake vetëm 33% e tyre në BE. Rrobat, këpucët dhe bizhuteritë janë mallrat më të shitur përmes internetit, vijuar më pas nga mobiliet e shtëpisë dhe ushqimet.

Për mallrat dhe shërbimet online më së shumti shpenzojnë në vlerat nga 100 euro deri në 500 euro. Ndërkaq ka një kategori konsumatorësh që shpenzojnë më pak se 50 euro.