NATO paralajmëron Moskën për Ukrainën, Putin nuk tërhiqet

Ministrat e Jashtëm të vendeve të NATO-s u takuan në Riga për të adresuar dy çështje: rolin e Rusisë në lindje të Ukrainës dhe krizën migratore që vjen nga Bjellorusia.

Sekretari i përgjithshëm i Aleancës paralajmëroi Rusinë që të mos ngrejë struktura ushtarake në kufi me Ukrainën.

“Rusia do të paguajë një kosto të lartë nëse përdor sërish forcën ndaj një vendi të pavarur dhe sovran si Ukraina. Ne i kemi treguar kapacitetet tona për të marrë masa, qofshin ekonomike apo politike”, tha Jens Stoltenberg, sekretar i përgjithshëm i NATO-s.

Por presidenti rus nuk u tërhoq, duke deklaruar se nëse NATO ndihmon ushtarakisht Kievin, Rusia është gati të përgjigjet.

“Nëse ndonjë sistem raketor shfaqet në territorin e Ukrainës, koha e fluturimit deri në Moskë do të jetë 7 deri në 10 minuta dhe vetëm 5 minuta në rast të një rakete hipersonike. Do na duhet të krijojmë diçka të ngjashme ndaj atyre që na kërcënojnë dhe mund ta bëjmë atë menjëherë”, u shpreh Vladimir Putin, president i Rusisë.

Në deklaratën e tij, Stoltenberg i bëri thirrje Moskës të riangazhohet në dialogun NATO-Rusi dhe preku edhe çështjen bërthamore, duke u kërkuar të gjitha vendeve të rrisin transparencën e veprimeve të tyre për hir të sigurisë globale.