Buxheti 2022, Rama dhe Basha përplasen në parlament

Kryeministri Edi Rama dhe kryedemokrati Lulzim Basha dhanë dy panorama të ndryshme të gjendjes financiare të Shqipërisë në seancën e sotme në parlament.

Rama prezantoi sot projekt buxhetin përpara deputetëve, të cilin e quajti një buxhet të ndërmjetëm të tejkalimit të dy sfidave që Shqipëria po lë pas, por edhe të përparimit drejt një niveli të ri të zhvillimit ekonomik.

Sipas kryeministrit, buxheti nuk rrit taksat për asnjë kategori, ndërsa nga ana tjetër ndihmon shtresat në nevojë.

“Rrisim pagat me një bonus të posaçëm deri në 150% për punonjësit e policisë që punojnë larg vendbanimit. Dyfishojmë ndihmën ekonomike për rreth 15 mijë familje që kanë tre apo ose më shumë fëmijë deri në 18 vjeç. Ligjërojmë me këtë buxhet pagën prej 30 mijë lekësh në muaj për naftëtarët e Fierit për gjithë vitin 2022 ndërkohë që kërkojmë një zgjidhje. 26 milionë dollarë indeksimi i mëtejshëm i pensioneve, si dhe 36 milionë dollarë bonusi i fundvitit,” u shpreh Rama.

Ai shtoi se do të vazhdojë rimbursimi i barnave për mbi 400 mijë qytetarë dhe financimi për vaksinimin, si dhe i vuri theks të veçantë digjitalizimit të shërbimeve për qytetarët, sidomos në kadastër, edukim dhe mbrojtje.

Kryedemokrati Lulzim Basha përsëriti akuzat për korrupsion dhe keqmenaxhim ndaj qeverisë socialiste.

Sipas Bashës, qeveria Rama 3 i shërben një grushti njerëzish përmes PPP-ve, por edhe është e fokusuar tek shpenzimt e luksit.

“Planifikoni të shpenzoni 51.2 milionë euro mobilime, makina, rikonstruksione zyrash e godinash qeveritare”- tha Basha.

“Familjet ndodhen nën zgjedhën mbytëse të cmimeve të larta, të energjisë së rritur, të karburantit të papërballueshëm që prek cdo hallkë të ekonomisë, ju në vend që t’i lehtësoni, ju shtoni edhe aksizën prej 6 lekësh për gazin, që do ta bëjë edhe më të vështirë këtë dimër për familjet dhe sipërmarrjet,” paralajmëroi Basha.

“Për ju borxhi s’është borxh, por mekanizëm financimi. Ngecja në vendnumëro nuk është ngecje, por është zhvillim. Përqëndrimi i ekonomisë në pak duar nuk është monopolizim dhe oligarki, por është konkurenca vetë,” shtoi kryeopozitari.