Çavuşoğlu: Për eksportimin e drithit të Ukrainës mund të hapen linja të sigurta

Ministri i Punëve të Jashtme i Türkiye-s (Turqisë), Mevlüt Çavuşoğlu, ka deklaruar se për kryerjen e eksportimit të drithërave të Ukrainës përmes Detit të ZI nuk është e nevojshme pastrimi i minave dhe se mund të hapen linja të sigurta, transmeton Anadolu Agency (AA).

Çavuşoğlu iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve përpara mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti).

I pyetur nëse është apo jo e rëndësishme për Türkiye-n sinjali i ardhur nga Suedia për çështjen e luftës kundër terrorizmit, Çavuşoğlu u shpreh se Türkiye i ka përcjellë pritjet dhe shqetësimet e saj në mënyrë të shkruar dhe se presin përgjigje konkrete.

“Edhe sekretari i NATO-s me të cilin jemi në kontakt po tregon përpjekje”, theksoi Çavuşoğlu, duke shtuar se, “Jo vetëm një ligj, ne u kemi dhënë të shkruar në mënyrë të qartë ato që presim dhe në cilat çështje. Tani nga ata presim përgjigje në mënyrë të shkruar”.

Çavuşoğlu tha se edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka shprehur shqetësimet e Türkiye-s që është aleate e NATO-s.

“Stoltenberg gjithmonë ka deklaruar në mënyrë të sinqertë mendimet e tij për S-400 dhe çështjet e tjera. Edhe në vizitat e tij në Suedi dhe Finlandë tregon përpjekje dhe shprehet se duhet të eliminohen shqetësimet e Türkiye-s. Është në kontakt të vazhdueshëm me ne dhe me ata, për këtë arsye i përgëzojmë këto përpjekje të Stoltenberg”, tha Çavuşoğlu.

I pyetur lidhur me zhvillimet për formimin e një korridori për drithërat për heqjen e pengesave për eksportin e grurit të Ukrainës, Çavuşoğlu theksoi se plani i Kombeve të Bashkuara (OKB) është një plan i zbatueshëm dhe se presin përgjigje nga Rusia. Më tej, ai tha se Türkiye mbështet planin e OKB-së dhe se “nëse palët bien dakord u kemi shprehur se mund të mblidhemi në Stamboll për të biseduar detajet”.

Lidhur me çështjen e minave të Ukrainës në Detin e Zi, ministri Çavuşoğlu, u shpreh se, “Sipas planit të fundit të OKB-së pastrimi i këtyre minave do të marrë një kohë të caktuar. Pasi është e qartë se ku ndodhen minat, do të vendosen linja të sigurta në tre porte, kështu anijet pa pasur nevojë për pastrimin e minave do të shkojnë në mënyrë të sigurt në porte të udhëzuara edhe nga anijet e kërkim-shpëtimit të Ukrainës, si dhe do të vijnë nga portet në mënyrë të sigurt. Pasi të mbërrijnë në zonën e sigurt, do të kryhet sërish kontrolli i anijeve atje. Aktualisht sipas planit nuk është i nevojshëm pastrimi i minave. Do të mund të hapen linja të sigurta nga vendet ku nuk ka mina”.