Deputeti i PD-së me shportë ushqimesh për në Kuvend: Të indeksohen çmimet

Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula ka kërkuar që qeveria të indeksojë çmimet e ushqimeve, pasi për qytetarët janë të papërballueshme.

Teksa po i drejtohej Kuvendit me një shportë të produkteve ushqimore, Sula u shpreh se kërkesa e opozitës mbetet e njëjtë, uljen e TVSH-së nga 20% në 6%.

“Kjo është situatë katastrofike. Qytetarët duhet t’i bëjnë presion kësaj qeverie për të vetmen arsye që të ndihmon të gjitha familjet, sepse i kanë të papërballueshme çmimet. Qeveria i ka të gjitha mundësitë që të bëjë indeksimin e çmimeve. Kemi rastin e Maqedonisë së Veriut, e ka zëruar TVSH-në nga 20% në 0%. Ne si opozitë kemi kërkuar uljen e TVSH-së nga 20 % në 6%”, tha Sula.

Ditën e djeshme, qyetatarët protestuan kundër rritjes së çmimeve. Protesta nisi fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe më pas u zhvendos para godinës së Kryeministrisë, nën sloganin ‘S’mban më ujë pilafi.’