Çelja e negociatave/ Qeveria përgatitet që të organizojë manifestim gjigant në shesh para pushimeve të gushtit

Kryeministri Edi Rama duket se ka planifikuar që ta mbyllë sezoni politik para pushimeve me një manifestim me pjesëmarrje masive në sheshin “Skënderbej”.

Lëvizja e tij, disi e justifikuar me një festë gjigande për vendimin e Bashkimit Europian për të çelur zyrtarisht negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë, duket se është edhe një përgjigje politike ndaj protestës së 7 korrikut të Partisë Demokratike.

Burime bëjnë me dije se instruksionet për këtë organizim janë dhënë në takimin djeshëm të Ramës me drejtuesit e rinj të degëve të Partisë Socialiste.

Kryeministri ka lënë porosi për organizimin e një manifestimi të madh që pritet të mbahet më datë 28 korrik në orën 19:00.

Teksa Sali Berisha dhe opozita e demonstruan forcën e tyre me një protestë para zyrës së Kryeministrit, që pjesëmarrjen e kishte me shifra tepër të larta, Rama nuk do të shkojë në pushime pa treguar se edhe ai ka popullin me vete.

Ndërkohë manifestimi që Partia Socialiste po përgatit vjen vetëm 4 ditë pas largimit të Presidentit Ilir Meta nga posti i Kreut të Shtetit që e mbajti për 5 vite, por edhe pas Kongresit të LSI që do të zhvillohet më 25 korrik.