Champions League, Chelsea në gjysmëfinale, eliminon Porton

Blutë e kishin avantazhin prej dy golash, ashtu që thjesht duhej ta menaxhonin sfidën dhe ta ruanin epërsinë.

Chelsea është kualifikuar në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve duke eliminuar Porton me rezultat të përgjithshëm prej 2-1, pas ndeshjes kthyese çerekfinale që u zhvillua në Sevilla të Spanjës.

Të dyja takimet çerekfinale ndërmjet këtyre skuadrave u zhvilluan në Estadio Ramon Sanchez Pizjuan. Blutë e fituan sfidën e parë me rezultat 2-0 në cilësinë e mysafirit, derisa përballja kthyese përfundoi me fitoren e Portos prej 1-0.

Minutat e para të sfidës nuk prodhuan raste të rrezikshme shënimi, ashtu që skuadrat zhvilluan lojë të kujdesshme. Blutë e kishin avantazhin prej dy golash, ashtu që thjesht duhej ta menaxhonin sfidën dhe ta ruanin epërsinë.

Një mundësi të mirë për ekipin portugez e pati Jesus Manuel Corona, i cili hyri në zonë dhe thjesht duhej ta mposhtte portierin, mirëpo goditi mbi portë, ashtu që skuadrat shkuan në pushim me rrjetat e paprekura.

Ekipi portugez arriti ta shënonte një gol të vonshëm në fraksionin e dytë përmes Mehdi Taremi (90’+4), por që nuk u shërbeu asgjë…