COVID-19: Kosova miraton masa të reja, përfshihet edhe testi negativ për hyrje në vend

Qeveria ka parapara një varg masash specifike edhe për komuna të veçanta, të cilat i ka ndarë në tre katogori, në ato me rrezikshmëri të lartë të përhapjes së infeksionit, të mesëm dhe të ulët

Qeveria e Kosovës në një mbledhje elektronike ka miratuar masa të reja më të rrepta për të frenuar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19) në prag të fundvitit, përfshirë edhe testin negativ ndaj virusit që do të nevojitet për hyrje në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).

Vendimi i qeverisë hyn në fuqi nga ora 5 e mëngjesit të 23 dhjetorit dhe do të vlejë deri në një vendim tjetër.

Masat e reja janë marrë me rekomandimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSSPK) dhe disa nga ato do të zbatohen në mbarë territorin e vendit, ndërsa disa në komunat më të prekura të vendit.

Nga masat të cilat vlejnë për mbarë territorin e Kosovës, qytetarët e huaj që hyjnë në Kosovë, përfshirë edhe ata me leje qëndrimi të përkohshëm ose të përhershëm dhe që vijnë nga vendet me rrezikshmëri të lartë, duhet të posedojnë test negative për COVID-19 të kryer në 72 orët e fundit, në të kundërtën do të duhet të vetë-izolohen për 7 ditë.

Testi negativ për COVID-19 nuk do të vlejë për të gjithë ata që hyjnë përmes aeroportit apo përmes pikave kufitare tokësore dhe nënshkruajnë deklaratë se do ta lëshojnë Kosovën brenda 3 orëve, qytetarët e huaj që merren me transport, qytetarët e huaj që kalojnë nëpër Kosovë me transport të organizuar, por me kusht që ta lëshojnë vendin brenda 5 orëve, si dhe diplomatët e huaj.

Në bazë të masave të reja, personave mbi moshën 65 vjeç iu lejohet dalja jashtë shtëpisë vetëm gjatë periudhës kohore nga ora 6 deri në ora 10 të mëngjesit dhe nga ora 4 deri në orën 7 pasdite, ndërsa jashtë këtij orari mund të dalin vetëm për nevoja emergjente dhe shëndetësore.

Sa i përket masave për aktivitete publike, qytetarëve u ndalohet grumbullimi i më shumë se 4 personave në vende publike, zhvillimi i seminareve dhe punëtorive, organizimi i dasmave dhe ahengjeve, si dhe organizimi i ceremonive dhe veprimtarive fetare, përveç me familje të ngushtë.

Sa i përket aktiviteteve biznesore, tregjeve publike të automjeteve dhe kafshëve u ndalohet veprimtaria, ndërsa therja e kafshëve lejohet vetëm në ambiente të autorizuara. Po ashtu edhe ushtrimi i vetëm i veprimtarive do t’i lejohet sektorit të shëndetësisë, atij të sigurisë dhe drejtësisë, administratës qendrore dhe lokale, sektorit të prodhimit, atij të bujqësisë dhe blegtorisë, të ndërtimit dhe transportit të mallrave, si dhe të produkteve ushqimore dhe distribuimit.

Qeveria ka parapara një varg masash specifike edhe për komuna të veçanta, të cilat i ka ndarë në tre katogori, në ato me rrezikshmëri të lartë të përhapjes së infeksionit, të mesëm dhe të ulët.

Në komunat me rrezikshmëri të lartë aktiviteti ekonomik dhe lëvizja e lirë e qytetarëve do të jetë e ndaluar nga ora 8 e darkës deri në orën 5 në mëngjes, përjashtuar ata që kanë raste emergjente. Në komunat me rrezikshmëri të mesme dhe të ulët nuk do të ketë kufizim të lëvizjes së lirë, por aktiviteti ekonomik do të mbyllet nga ora 8 e darkës deri në 5 në mëngjes.