“Investimet e Turqisë mund të rriten tutje në Maqedoninë e Veriut”

"Kemi mundësi të bashkëpunojmë në shumë fusha, përfshirë distribuimin e gazit natyror, energjinë, industrinë e mbrojtjes, bujqësinë dhe konstruktimin e autostradave dhe digave”, tha kryeparlamentari i Turqisë, Mustafa Şentop

Kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë (TBMM), Mustafa Şentop, u takua me gazetarët në Shkup, kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, ku dje arriti për një vizitë dytitore me rastin e 21 Dhjetorit – Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke në vend, raporton Anadolu Agency (AA).

Şentop theksoi rëndësinë e 21 Dhjetorit dhe tha që ai ka marrë pjesë në këto shënie përpara se të hynte në politikë dhe se ai ka ardhur këtu si akademik në të kaluarën.

Ai theksoi se kishte bisedime të frytshme gjatë takimeve këtu.

“Ne i vlerësuam çështjet rajonale, por edhe zhvillimet në botë për shkak të pandemisë”, tha kryeparlamentari turk.

“Në delegacionin nga Turqia kemi shokë nga parti të ndryshme. Çdokush në Turqi, deputetë nga parti të ndryshme, kanë interesim për këtë vend, Ballkanin, Maqedoninë e Veriut”, shtoi ai.

Ai tha se Turqia është vendi i parë që e njohu Maqedoninë e Veriut me emrin e saj dhe e ka mbështetur atë për vite në të gjitha platformat ndërkombëtare.

“Turqia tani e vazhdon mbështetjen e njëjtë. I dha mbështetje në anëtarësimin në NATO. Tani (Maqedonia e Veriut) është bërë anëtare e Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi. Turqia ka ofruar mbështetje edhe në këtë proces. Sepse ne i shohim këto troje si vende mike dhe vëllazërore me të cilat kemi pika të përbashkëta historike, kulturore dhe njerëzore”, tha Şentop.

Ai tha se kanë vendosur si synim që vëllimin tregtar midis dy vendeve ta çojnë në mbi 1 miliard dollarë.

“Shpresojmë që ta arrijmë këtë synim shumë shpejt pas pandemisë. Po kështu, biznesmenët tanë nga Turqia bëjnë investime në shkallë të gjerë në Maqedoninë e Veriut. Turqia është një prej vendeve me më shumë investime këtu. Gjithashtu, ne diskutuam për zhvillimin e bashkëpunimit në arsim, shëndetësi, industrinë e mbrojtjes dhe shumë fusha të tjera”, theksoi Şentop.

Paralajmërim vendeve mike të Ballkanit mbi FETO-n

Kryetari i parlamentit turk tha më tej se organizata terroriste FETO është një nga temat e rëndësishme në Maqedoninë e Veriut, sikurse në një pjesë të konsiderueshme të vendeve të Ballkanit. Ai rikujtoi se vendimi gjyqësor në Turqi ka verifikuar se ajo qëndronte prapa tentataivës për grusht shteti më 15 korrik 2016.

Ai theksoi se në dosjet gjyqësore ekzistojnë shumë regjistrime, dokumente, audio-regjistrime dhe komunikime që tregojnë për fajësinë e FETO-s në puçin e dështuar.

Şentop po ashtu tha se kanë njohuri për aktivitete të FETO-s në vende të ndryshme, përfshirë Maqedoninë e Veriut.

“Ne në Turqi duam që pjesëtarët e organizatës kriminele të ekstradohen në Turqi, të mos strehohen në vendet mike dhe vëllazërore. Kjo organizatë vepron si mashë e inteligjencave të disa shteteve dhe përbën rrezik për sigurinë kombëtare në vendet ku vepron”, shtoi ai.

Ai theksoi se cilido vend qoftë, nuk duhet thënë që një person i caktuar “ka kryer krim te ju dhe të presim nëse do të kryejë krim te ne”, edhe pse është shpallur fajtor nga gjykata dhe sistemi ligjor i një vendi tjetër.

“Po të ishte ashtu, në arenën ndërkombëtare nuk do të kishte mundësi luftë kundër terrorizmit. Për shembull, nëse ndonjë organizatë që ka kryer krime në Irak, Siri shkon në Francë apo Gjermani, askush nuk thotë ‘këta nuk kanë kryer krim te ne, kanë kryer në Irak, le të vazhdojnë të jetojnë normalisht këtu’”, deklaroi Şentop.

“Duam që paqja këtu të jetë e përhershme”

Şentop tha se në Maqedoninë e Veriut jetojnë në paqe njerëz të përkatësive të ndryshme.

“Ne duam që paqja, qetësia dhe gëzimi i bashkëjetesës së njerëzve me fe dhe prejardhje të ndryshme etnike të jenë të përhershme këtu, të jenë të qëndrueshme, ne e mbështesim këtë dhe e tregojmë këtë si shembull në shumë vende”.

Duke folur mbi politikën e jashtme të Turqisë, ai tha se tashmë 15 vjet, nën udhëheqjen e presidentit Recep Tayyip Erdoğan, vendi zhvillon një diplomaci të bazuar në njeriun, duke realizuar aktivitete humanitare, projekte kulturore dhe historike përmes institucioneve të saj si TIKA, YTB, Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfeve dhe Instituti Yunus Emre.

Ai rikujtoi se Turqia ka qenë vendi që ka ofruar më shumë ndihma humanitare në bazë të të ardhurave kombëtare në vitet para vitit 2019.

“Turqia nuk është vendi më i pasur në botë, por është më bujari. Kjo ka të bëjë ndjeshmërinë e popullit tonë në këtë çështje. Siç dihet, Turqia strehon numrin më të madh të migrantëve. Në Turqi ka migrantë sa dy herë popullsia e Maqedonisë së Veriut”, tha Şentop, duke shtuar se migrantët në Turqi trajtohen në mënyrë të barabartë me shërbime shëndetësore gjatë pandemisë.

“Ka mundësi për rritjen e investimeve turke në Maqedoninë e Veriut”

Në fjalën e tij, Şentop deklaroi se Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik (IBU) është fryti më i rëndësishëm i marrëdhënieve midis Turqisë dhe Maqedonisë në fushën e arsimit, duke shtuar se ky universitet ka forcuar strukturën e tij akademike dhe ka fituar njohje edhe në Evropë dhe botë me publikimet e tij.

Ai tha po ashtu se gjatë takimeve të tij ka biseduar edhe për Zonën e Tregtisë së Lirë, duke shtuar se më në fund, dje me në takimin me kryeministrin Zoran Zaev, ai është shprehur se së shpejti do të hidhen hapa në këtë drejtim, në mënyrë që të rriten investimet.

Duke folur për marrëdhëniet ekonomike, Şentop deklaroi se dy vendet kanë shumë aktivitete të përbashkëta në këtë fushë, duke shtuar se investimet nga Turqia në vend janë në vlerë mbi 1,2 miliardë dollarë dhe gjenerojnë mbi 5 mijë vende pune.

“Ekziston mundësia që investimet turke të rriten. Kemi mundësi të bashkëpunojmë në shumë fusha, përfshirë distribuimin e gazit natyror, energjinë, industrinë e mbrojtjes, bujqësinë dhe konstruktimin e autostradave dhe digave”, u shpreh kryetari i parlamentit turk, Mustafa Şentop.