CoVid-19 prek edhe rrogat e mësuesve? Reagon Drejtoria e Arsimit Parauniversitar

RDAP: E vetmja ndalesë në pagë është...

Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar me anë të një komunikate të bërë publike për mediat njofton se pagesat e mësuesve nuk do të preken nga situata e Covid-19.

Sipas DPAP pjesa më e madhe e mësuesve i ka pagat në llogaritë personale dhe pjesa tjetër për shkak të procedurave në degët e thesarit, është në proces dhe parashikohet që ditën e hënë çdo punonjës të marrë pagën e muajit Mars 2020, shkruan Top Channel.

Njoftimi:

Përshëndetje!

Pagat e mësuesve, muaji Mars 2020.

Në lidhje me pretendimet për prekje të pagave të mësuesve, sqarojmë se nuk ka asgjë të vërtetë pasi ato janë llogaritur të plota.

Pjesa më e madhe e mësuesve i ka pagat në llogaritë personale dhe pjesa tjetër për shkak të procedurave në degët e thesarit, është në proces dhe parashikohet që ditën e hënë çdo punonjës të marrë pagën e muajit Mars 2020.

Sqarojmë: e vetmja ndalesë në pagë është pagesa e vështirësisë së largësisë, e cila jepet për mësuesit që punojnë larg vendbanimit të tyre dhe përfitojnë rimbursim për shpenzimet e transportit. Pas datës 9 mars ata nuk kanë udhëtuar, prandaj nuk kanë përfituar transport dhe nuk mund ta përfitojnë. Kjo pagesë është bërë në proporcion me kohën që mësuesit kanë udhëtuar, pra nga data 1 mars deri në datë 10 mars, pasi më tej mësimin e kanë zhvilluar nga shtëpia. Kjo pagesë jepet si vështirësi për largësi dhe është e diferencuar 1,000 lekë, 1,500 lekë dhe 2,700 Lekë në muaj (mësuesit kanë marrë 1/3).

Në lidhje me orët e kujdestarisë, sqarojmë ato se janë paguar të gjitha konform ngarkesës mësimore të miratuar nga drejtorët e shkollave.

Ndryshim ka pasur vetëm pagesa e orëve suplementare për periudhën 10 mars – 31 mars, pasi gjatë kësaj kohë mësimi është bërë nga shtëpia. Ndërkohë ngarkesat mësimore javore nuk janë zhvilluar të plota, pasi vetëm në këtë periudhë (10 deri 31 mars) kemi pasur 4 ditë pushim – nga të cilat dy kanë qenë festa zyrtare, data 14 mars dhe data 22 mars, të cilat janë bërë pushim ditëve të hëna. Kemi pasur edhe dy ditë pushim të vendosura me VKM ditëve të premte. Pra, në këto kushte kur një nga ditët e javës ka qenë pushim nuk ka si të realizohet ngarkesa mësimore përtej normës javore.

Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar

Rruga :”Aleksandër Moisiu”,përballë IKV Tiranë