Covid-19 rrit shpenzimet në arkën e shtetit, këtë 7-mujor 85 milion euro më shumë

Ndikimin më të lartë në rritijen e shpenzimeve e kanë dhënë pagesat sociale të bëra në kuadër të përballimit të pandemisë COVID-19.

Pandemia COVID-19, përveç faktit se ka ulur ndjeshëm të ardhurat në buxhet, në krahun tjetër ka rritur shpenzimet përtej parashikimeve. Në 7 muajt e parë të vitit, buxheti i shtetit ka shpenzuar rreth 282.4 miliardë lekë në total.  Sipas treguesve fiskale të Ministrisë së Financave, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë shpenzimet rezulojnë afro 10.5 miliardë lekë apo 84.8 milionë euro më të larta.

Ndikimin më të lartë në rritijen e shpenzimeve e kanë dhënë pagesat sociale të bëra në kuadër të përballimit të pandemisë COVID-19, si ndihma ekonomike apo pagesa e papunësisë, me afro 17 miliardë lekë të shpenzuara në 7-mujor, nga 14 miliardë lekë që u disbursuan në 2019-ën. Po ashtu janë shpenzuar 11.7 miliardë lekë nga fond i kontigjencës për paketën sociale anti-Covid 19, ndërsa një vit më parë ky fond ka qenë zero.

Nga ana tjetër shpenzimet korrente kanë pësuar një rënie të lehtë, interesat dhe shpenzimet operative e të mirëmbajtjes po ashtu. Për pushtetin vendor janë shpenzuar 29.4 miliardë lekë, apo 5.4 miliardë lekë më pak. Sa i takon zërave të tjerë, janë rritur lehtë shpenzimet për fondet sociale dhe ato për investime. /Scan