Zbardhen të tjera detaje nga ngjarja e rëndë e ndodhur mbrëmjen e sotme në Tiranë. Nënë e bijë u gjetën të pajeta, ndërsa vajza tjetër në gjendje të rëndë.
Pa shenja jete u gjetën nëna Zhaneta Josifi, 56 vjeçe dhe vajza Anisa Josifi, 30 vjeçe. Ndërsa vajza tjetër Blerta Josifi 34 vjeçe, është dërguar në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ndërkohë, tronditëse është dëshmia e vajzës 34-vjeçare e cila u gjet në gjendje të rënda, pasi zjarrfikësit u futën në banesë.
Gazetarja Xhensila Kodra bën të ditur për abcnews.al se mësohet se ajo t’u ketë thënë ekspertëve: “Se keni idenë çfarë kaluam ne për të fituar ringjalljen”.
Ndërkohë, burime bëjnë të ditur se ekspertët i gjetën viktimat të lyer me vaj e uthull e gjëra të lëngshme.
Dyshohet se 30-vjeçarja Anisa ka humbur jetën disa javë më parë, pasi trupi i saj është gjetur i dekompozuar. Kreu i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupaj u shpreh se 30 vjeçarja u gjet në krevat e mbuluar me batanije. Kreu i policisë dha po ashtu një tjetër detaj. Nga këqyrja e trupave është vërejtur se ka shenja të mosushqyerjes ditët e fundit.
Ndërkohë një fqinje e familjes ku u vetëflijuan nënë e bijë, teksa trupi i saj ishte dekompozuar, ka treguar për mediat se ato kishin rreth dy vite që qëndronin të mbyllura pa mbajtur komunikime me njeri.
Ajo tha se rasti ishte bërë problem duke bërë që policia të vinte për të parë gjendjen e tyre, por ata kanë thënë se janë mirë por po qëndrojnë në shtëpi për disa punë të tyre.
Fqinja deklaroi se nuk i kishte parë prej 10 ditësh që kur punonjësit e bashkisë erdhën në shtëpinë e tyre për t’i dhuruar ndihma.
Atë ditë ajo tha se ka vënë re se Zhaneta Josifi, nëna e dy vajzave ishte dobësuar shumë.
“Ka qenë një familje model dhe gjynah që patën një fund të hidhur. Ishte një grua e shkëlyer me vajza yë shkolluara. Ata kanë punuar. Por nuk e di pse u mbyllën brenda. Kanë qëndruar mbi dy vite brenda. Motra vinte e vizitonte, herët e fundit nuk i përgjigjej dhe nuk i hapte derën
Unë jam interesuar edhe me bashkimë. I kanë sjellë ndihma. Nuk e di si përfunduan kaq keq. Kanë një motër, herë i dilte, herë nuk i dilte, Njëherë erdhi edhe policia. Ajo doli dhe tha që kemi disa punë tonat. Para tre javësh ka ardhur policia. Ka rreth 10 ditë qe erdhën ndihma. I thamë ne që duhet të marrësh. I tham të fillonin punë. Anisën nuk e kam parë prej dy vitesh.
Zhaneta para pandemisë punonte në një familje. Pastaj u mbyll brenda. Ishte dobësuar shumë. Nuk e di pse u mbyllën në vetvete. Nuk mund të them dot se ishte për shkak të fesë. Që kur erdhi bashkia nuk i kam parë fare. Ato nuk lëviznin. Nuk dëgjoheshin, as bënin lëvizje. Vajza nuk m’u duk në gjendjet ë keqe. E ëma ishte dobësuar shumë”, tha fqinja. /Abcnews


