Presidenti turk përsërit thirrjen për një armëpushim midis Rusisë dhe Ukrainës

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka përsëritur thirrjen e tij për një armëpushim midis Rusisë dhe Ukrainës, derisa lufta vazhdon në ditën e saj të gjashtë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në konferencën e përbashkët për media pas takimit në Ankara me presidentin e Kosovës, Vjosa Osmani, presidenti Erdoğan theksoi se thirrja e tyre ndaj Rusisë dhe Ukrainës është që “ata të ndalin zjarrin sa më parë”.

Erdoğan i bëri thirrje Moskës dhe Kievit që të “japin një kontribut të mirë për paqen botërore”.

Presidenti turk theksoi se vendi i tij vlerëson përpjekjet për të anëtarësuar Ukrainën në Bashkimin Evropian (BE), por më tej parashtroi pyetjen, “Unë u them këtyre anëtarëve të BE-së, pse ende jeni të shqetësuar për ta anëtarësuar Turqinë në BE?”.

“Tregojeni edhe për Turqinë ndjeshmërinë që tregoni në lidhje me anëtarësimin e Ukrainës (në BE). Apo do ta vendosni Turqinë në agjendë kur dikush do ta sulmojë atë?”, u shpreh presidenti Erdoğan.

Që nga fillimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës të enjten e kaluar, Moska është pritur me dënime të fuqishme nga komuniteti ndërkombëtar, me Bashkimin Evropian (BE), Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA-në që po zbatojnë një sërë sanksionesh ekonomike ndaj Rusisë.

Sipas shifrave të Kombeve të Bashkuara (OKB), deri më tani në Ukrainë të paktën 136 civilë, përfshirë 13 fëmijë, janë vrarë dhe rreth 400 të tjerë, përfshirë 26 fëmijë, kanë plagosur.