Drone për kontrollin e territorit/ FNSH dhe Policia e Durrësit aksion blic për drogë në Nikël, Krastë dhe Barkanesh, gjenden 41 parcela ku do të mbillej kanabis

Sipas Policisë u evidentuan dhe 41 vende që ishin hapur në zona të pyllëzuara dhe malore të Krujës për të mbjellë kanabis. Ndërkohë janë shkatërruar edhe 59 lera të ndërtuara me plastmasë, të cilat mbanin ujë.

Policia e Durrësit, ajo e Krujës dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë zhvilluar një aksion blic në fshtratat e Krujës, në Krastë, Picrragë, Nikël e Barkanesh, ku janë shkatërruar 59 lera të ndërtuara me plastmasë, të cilat shërbenin për të grumbulluar ujë, me qëllim kultivimin e bimëve narkotike. Sipas Policisë janë evidentuar dhe 41 vende që ishin hapur në zona të pyllëzuara dhe malore të Krujës për të mbjellë kanabis. Gjatë aksionit janë përdorur edhe drone për të kontrolluar territorin.

Njoftimi i Policisë:

Kontroll masiv i territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Në kontroll Policia e Krujës, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe FNSH Tiranë. Gjatë kontrollit masiv, shërbimet e Policisë kanë përdorur disa dronë për të kontrolluar territorin. Si rezultat i kontrolleve me dronë, në Krastë, Picrragë, Nikël e Barkanesh u evidentuan dhe u shkatërruan 59 lera të ndërtuara me plastmasë, të cilat shërbenin për të grumbulluar ujë, me qëllim kultivimin e bimëve narkotike. Gjithashtu, po nga monitorimi me dronë dhe kontrolli me këmbë i territorit u evidentuan dhe 41 vende që ishin hapur rishtas në zona të pyllëzuara dhe malore të Krujës, me qëllim kultivimin e bimëve narkotike. Operacioni i kontrollit të territorit vijon.