Kampi më i madh në botë i refugjatëve preket nga koronavirusi

Aktualisht, gati 2 mijë refugjatë janë vendosur në izolim, pasi dyshohet se mund të jenë mbartës të virusit.

Të paktën dy refugjatë nga komuniteti mysliman Rohingya kanë rezultuar pozitivë me koronavirus në kampin më të madh në botë të refugjatëve, i cili ndodhet në Bangladesh.

Një mjek vendas ka thënë për BBC se rreth 1 milionë refugjat Rohingya ndodhen në Cox’s Bazar, në Bangladesh. Aktualisht, gati 2 mijë refugjatë janë vendosur në izolim, pasi dyshohet se mund të jenë mbartës të virusit.

Refugjatët kanë mbetur të bllokuar në këtë kamp që prej 14 marsit. Refugjatët në Cox’s Bazar jetojnë në kushte mjaft të vështira, në hapësira të vogla dhe në mungesë të ujit, shkruan A2News.

“Tani që virusi është futur në kampin më të madh të refugjatëve në botë, situata mund të shndërrohet në dramatike dhe mijëra njerëz mund të vdesin nga Covid-19. Kjo pandemi mund ta kthejë Bangladeshin shumë dekada mbrapa”, ka thënë Shamim Jahan, mjek i “Save the Children”.

Myslimanët Rohingya janë një nga pakicat etnike në Mianmar, të cilët prej dekadash kanë vuajtur spastrimin etnik. Eksodi i fundit i tyre nisi në gushtin e vitit 2017, duke u zhvendosur në Bangladesh.