Droni turk Bayraktar AKINCI përfundon me sukses testin e goditjes së parë me municionin KGK-SIHA-82

Droni turk Bayraktar AKINCI (TIHA-mjet ajror pa pilot sulmues) i zhvilluar në mënyrë unike dhe kombëtare nga kompania Baykar në kuadër të projektit AKINCI nën udhëheqjen e kryesisë për industrinë e mbrojtjes së Türkiye-s (Turqisë) ka përfunduar me sukses edhe një fazë tjetër në procesin e integrimit të municioneve, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë nga Baykar thuhet se droni Bayraktar AKINCI më 14 qershor u ngrit në ajër nga rajoni Çorlu me municionin KGK-SİHA-82 (KGK – Kit udhëzues me krahë) i zhvilluar nga TÜBİTAK SAGE dhe përfundoi me sukses testin e goditjes së parë kundrejt koordinatave të përcaktuara në det në brigjet e qytetit Sinop.

Kamera elektro-optike mbi dronin AKINCI dhe antenat telemetrike që ndodhen në tokë, konfirmuan se municioni me peshë 340 kilograme goditi me precizitet të lartë objektivin i cili ndodhej në një largësi prej 30 kilometrash.

Droni Bayraktar AKINCI në ditët e kaluara zhvilloi një testim të suksesshëm të goditjes kundër objektivit në sipërfaqe të detit me Kitin udhëzues Teber-82 të zhvilluar nga Roketsan. Në të njëjtën kohë droni Bayraktar AKINCI, posedon edhe rekordin e lartësisë në historinë kombëtare të aviacionit turk.

Droni Bayraktar AKINCI B TIHA, i cili vazhdon fluturimet testuese, në një fluturim testues të kryer më 11 mars arriti lartësinë 40 mijë 170 feet dhe theu rekordin e lartësisë në historinë e aviacionit turk.

Marrëveshje eksporti me tre vende

Dronët Bayraktar AKINCI TİHA janë përfshirë në inventarin e Türkiye-s me një ceremoni të mbajtur më 29 gusht 2021 në të cilën mori pjesë edhe presidenti Recep Tayyip Erdoğan. Aktualisht dronët përdoren në mënyrë aktive në misionet operacionale nga forcat e sigurisë. Deri më tani në inventarin e forcave të sigurisë janë përfshirë 6 dronë Bayraktar AKINCI TİHA (TİHA-mjet ajror pa pilot sulmues).

Për dronin Bayraktar AKINCI TİHA deri më tani janë nënshkruar marrëveshje eksporti me 3 vende.

Në kuadër të marrëveshjeve, synohet dorëzimi në mënyrë periodike duke filluar që nga viti 2023 për dronët Bayraktar AKINCI TİHA dhe sistemet tokësore. Baykar realizoi eksportin e dronit të parë kombëtar në vitin 2012 dhe përfundoi eksportin e sistemit të dronëve (S/İHA) prej 664 milionë dollarësh në vitin 2021, duke gjeneruar më shumë se 80 për qind të të ardhurave të tij nga eksportet.

Ndërkohë vazhdojnë bisedime me shumë vende që janë të interesuara për dronin kombëtar turk Bayraktar AKINCI.