Dy vjet pa shtëpi/ Banorët e pallatit në Durrës: Nuk na lenë të kthehemi! Dëmet me pikëpyetje

Dy vjet pas tërmetit të 26 nëntorit, një pjesë e pallateve të dëmtuara qëndrojnë në pritje të procesit të rindërtimit, ndërsa banorët e tyre jetojnë me qira, pa e ditur se kur do të mund të kthehen në shtëpitë e tyre.

Të enjten ishte radha e banorëve të një pallati 12-katësh të lagjes 12 të qytetit për të protestuar para bashkisë së Durrësit.

Banorët kërkojnë ndërhyrjen e qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama që të përshpejtojë procesin dhe kthimin e tyre në pallat, për vlerësimin teknik të të cilit kanë shumë pikëpyetje.

“Nuk na lenë të hyjmë brenda. Kush e merr peng pallatin tonë? Këtë duam të dimë. Kush e pagoi inxhinierin privat? Ne duam të hyjmë në shtëpitë tona ndaj i bëjmë thirrje Arben Ahmetajt të vijë bashkë me Edi Ramën e ta verifikojë atje.”

“Jemi 65 familje dhe na kanë lënë si jetimë aty.”

“I lutem shumë qeverisë dhe Edi Ramës të vijë dhe të shikojë ç’po bëhet me atë pallat. E kemi pas shtëpinë në qendër të Durrësit dhe po vejmë në kënetë me fëmijë dhe të sëmurë. Prandaj zëri ynë të vejë në qeveri, bashki e kudo.”

Në bashkinë e Durrësit sqarojnë se për këtë pallat dhe disa godina të tjera, për të cilat ka ekspertiza të ndryshme të përcaktimit të nivelit të dëmit, është ngritur një komision i pasaçëm pranë Institutit të Ndërtimit, që do të ribëjë ekspertizat përkatëse duke përcaktuar edhe natyrën e ndërhyrjes rikonstruktuese në to.