0.5 C
Tiranë
E mërkurë, 19 Janar, 2022

Dyshimet mbi efikasitetin e vaksinave kineze rrisin shqetësimet kudo në botë

Varianti Omicron, i cili është përhapur me shpejtësi deri në Londër, Nju Jork dhe Seul, i vendos vaksinat përballë një testi të ri.

Pavarësisht shpërndarjes së 2.5 miliardë dozave, rritjet e fundit të infektimeve kanë ngritur pasiguri mbi vaksinat e Sinovac dhe Sinopharm.

Varianti Omicron i koronavirusit i detyroi qeveritë në të gjithë botën të forcojnë kontrollet kufitare, të përshpejtojnë shpërndarjen e vaksinave dhe të rivendosin masat e distancimit social javën e kaluar. Por në Dalian, Kinë, autoritetet e riklasifikuan rrezikun e virusit në disa pjesë verilindore të qytetit portual, nga “mesatar” në “të ulët”.

Zyrtarët dhe ekspertët kinezë të shëndetësisë thanë se ky kontrast pasqyronte faktin se politika e palëkundur e Pekinit për zero tolerancë ndaj Covid provoi të ishte një “zgjidhje magjike”, duke parandaluar të paktën 200 milion infektime dhe 3 milion vdekje. Ata argumentuan se arroganca perëndimore kishte çuar në neglizhencë dhe, tashmë, në shpërthimin potencialisht destabilizues të Omicron.

“Vendet perëndimore ka të ngjarë të mbërthehen nga Omicron nëse ky variant rezulton shumë infektues, për shkak të lehtësimeve të pabazuara shkencërisht që kanë ndërmarrë për masat e kontrollit të epidemisë, si dhe për shkak të besimit të tepërt te vaksinat,” raportoi Global Times, një agjenci nacionaliste lajmesh.

Megjithatë, zhurma e mediave shtetërore përgënjeshtroi pasiguritë mbi efikasitetin dhe qëndrueshmërinë e imunitetit të vaksinave të prodhuara në vend. Këto pasiguri janë prezente edhe në mendjet e shumë njerëzve në Kinë, ndërsa Pekini vazhdon të shpërndajë doza përforcuese dhe vaksina për fëmijët nga mosha tre vjeç.

Dyshimet mbi këto vaksina kanë rëndësi jo vetëm për vendin më të populluar në botë, ku 2.5 miliardë doza u janë injektuar 1.4 miliardë njerëzve. Ato gjithashtu kanë rëndësi për qindra miliona njerëz që kanë marrë vaksinat e bëra nga Sinovac dhe Sinopharm – të dy prodhuesit përdorin një vaksinë të inaktivizuar në vend të kodit gjenetik të përdorur nga vaksinat mRNA si BioNTech/Pfizer dhe Moderna.

Ben Cowling, profesor i epidemiologjisë në Universitetin e Hong Kongut, tha se kishte “ende shumë më tepër pasiguri në lidhje me efektivitetin e vaksinave të inaktivizuara, krahasuar me disa nga vaksinat e tjera që përdoren gjerësisht, siҫ janë dy vaksinat mRNA dhe vaksina AstraZeneca”.

Shpërthimi i fundit i infektimeve Delta në Kinë – e cila u përhap në më shumë se gjysmën e provincave të vendit dhe solli rivendosjen e izolimeve lokale – tregoi se efektiviteti i vaksinave të prodhuara nga Kina “kundër infeksionit dhe transmetimit nuk mund të jetë aq i lartë, përderisa nevojiteshin masa shumë të rrepta të shëndetit publik për të kontrolluar ato shpërthime infektimesh”, tha Cowling.

Por përhapja e fundit e infektimeve tregoi gjithashtu se “efektshmëria e vaksinës kundër simptomave të rënda të Covid-19 duket të jetë e lartë, sepse në infektimet e fundit ka pasur shumë pak raste të rënda”.

Varianti Omicron, i cili është përhapur me shpejtësi deri në Londër, Nju Jork dhe Seul, i vendos vaksinat përballë një testi të ri.

Sipas studimit të parë të detajuar nga epidemiologët e Afrikës së Jugut, Omicron ka qenë shkaktari i një rritjeje të konsiderueshme të rasteve të riinfektimit me koronavirus, krahasuar me valët e mëparshme.

Në shumë vende të varfra, vaksinat e Kinës ishin kritike për të shpëtuar jetët e njerëzve në fillimet e pandemisë, pasi iniciativa e vaksinave Covax, udhëhequr nga aleanca Gavi e mbështetur nga OKB-ja, e pati të vështirë të kapte objektivat e saj të shpërndarjes së vaksinave. Pavarësisht ritmit dhe shkallës së përhapjes, pasiguria mbi vaksinat vazhdon të ekzistojë në Kinë dhe jashtë saj.

Kjo është shkaktuar pjesërisht edhe nga qeveria kineze. Që kur koronavirusi u zbulua për herë të parë në Wuhan pothuajse dy vjet më parë, censuruesit e Pekinit kanë shtypur çdo shenjë mospajtimi apo dyshimi në lidhje me përgjigjen e shtetit ndaj pandemisë.

Mungesa e transparencës mbi efikasitetin dhe qëndrueshmërinë në zbehje të vaksinës ka shqetësuar shumë kinezë, veçanërisht prindërit e fëmijëve të vegjël dhe të moshuarit. Sipas intervistave dhe grupeve private të bisedave në mediat sociale që janë parë nga Financial Times, prindërit gjatë muajve të fundit janë përpjekur në heshtje të rezistojnë ndaj dhënies së pëlqimit për vaksinimin e fëmijëve të tyre.

Amerika Latine dhe Karaibet, shtëpia e pakashumë 8 për qind të popullsisë së botës, kanë pasur pothuajse një të tretën e të gjitha fataliteteve të shkaktuara nga Covid. Megjithëse Kina ka ofruar pothuajse dyfishin e numrit të vaksinave që ka ofruar SHBA – shumica e të cilave u shpërndanë përmes Covax – shumë vende po tentojnë të kalojnë te prodhues të tjerë të vaksinave.

Shteti brazilian i São Paulo-s lidhi një partneritet me Sinovac vitin e kaluar, në një kohë kur Presidenti Jair Bolsonaro po përballej me kritika për mënyrën se si qeveria e tij iu përgjigj pandemisë. Shumica e injeksioneve bëheshin me vaksinën kineze në fazat e hershme të fushatës së vaksinimit, në vendin më të populluar të Amerikës Latine, por më pas vaksina Oxford/AstraZeneca zuri vendin kryesor.

Zyrtarët e São Paulo-s fillimisht pretenduan se CoronaVac, vaksina e prodhuar nga Sinovac, pati 78 për qind efikasitet ndaj rasteve në provat lokale, nga ato me simptoma të lehta e deri te të rëndat. Por, pas kritikave për mungesën e transparencës së të dhënave, shkencëtarët njoftuan ditë më vonë se norma e përgjithshme ishte vetëm 50.4 për qind – shumë pak mbi pragun që nevojitej për miratimin rregullator – nëse përfshiheshin rastet “shumë të lehta”.

Studiuesit nga Instituti shtetëror Butantan, i cili mbush dhe përgatit vaksinat CoronaVac në Brazil, kanë thënë që atëherë se me një hapësirë kohore ​​prej 21 ditësh ose më shumë midis dy dozave, efikasiteti mund të arrijë deri në 62.3 për qind. Por, dyshime janë ngritur edhe për kohëzgjatjen e imunitetit.

Butantan ka ofruar më shumë se 100 milion doza të CoronaVac, shumica e të cilave janë prodhuar nga fabrikat e veta. Megjithatë, nuk ka kontrata të tjera për furnizimin e brendshëm me vaksina apo ndonjë negociatë me qeverinë federale, tha instituti.

Në Singapor javën e kaluar, ministria e shëndetësisë tha se njerëzit që morën dy doza të vaksinës Sinovac ose Sinopharm do të kishin nevojë për një dozë të tretë duke filluar nga muaji i ardhshëm në mënyrë që të konsiderohen  “plotësisht të vaksinuar “.

Ndërsa vaksinat e Kinës duket se nuk po preferohen më aq shumë, shpejtësia e diplomacisë së vaksinave e Pekinit nuk do të zhbëhet aq lehtë.

“Kinezët shfrytëzuan një mundësi taktike dhe kanë shtyrë prioritete të tjera gjeostrategjike – pranimi i teknologjisë së rrjetit Huawei, njohja e Tajvanit,” tha Daniel Runde në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, një think-tank amerikan.

Shumë ekspertë të shëndetit kanë paralajmëruar gjithashtu se politika po pengon bashkëpunimin dhe diskutimet shkencore në përgjigje të pandemisë, veçanërisht midis perëndimit dhe Kinës.

Jerome Kim, një ekspert imunologjie dhe drejtor i përgjithshëm i Institutit Ndërkombëtar të Vaksinave të OKB-së, i cili ka punuar me zhvilluesit kinezë dhe perëndimorë të vaksinave, paralajmëron se vaksinat nuk janë një zgjidhje në vetvete.

“Në rang global, ne kemi arritur ta shohim efektivitetin e vaksinimit, megjithatë infeksionet, sëmundjet dhe vdekja nga Covid-19 vazhdojnë të ekzistojnë,” tha ai.

“A e kemi harruar vallë se vaksinat janë zakonisht më efektive si pjesë e një qasjeje sistematike për parandalimin, një qasjeje që për Covid-19 duhet të vazhdojë të përfshijë maskat, distancimin, shmangie të zonave të mbipopulluara, izolimin, testimin dhe dozat përforcuese?”

Për tu Lexuar

Të Fundit

Lajme të Ngjashme