E përplasi i riu me “Benz”, vajza ka humbur njërën nga këmbët, në gjendje të rëndë në spital

Ajo ka humbur njërën nga këmbët si pasojë e goditjes.

Një vajzë rreth të 30-ave emri i së cilës ende nuk dihet mbeti e plagosur rëndë mbrëmjen e sotme si pasojë e një aksidenti në Kinostudio. Ajo ka humbur njërën nga këmbët si pasojë e goditjes.

Kalimtarja ishte duke ecur në trotuar, kur një adoleshent 19-vjeç me inicialet J.B. humbi kontrollin e “Benz”-it luksoz me targa AA 888 XX nga shpejtësia duke dalë nga rruga dhe përfunduar në trotuar.

Pasi aksidentoi vajzën, makina mori përpara çfarë i doli duke u përplasur me një zyrë noterie dhe këputur një pemë. Të terrorizuar dhe me duart në kokë nga ajo që u panë sytë, qytetarët shprehen se “vajza ishte në rrugën e vet dhe tani mbeti pa këmbë e shkreta”.

Kalimtarët e rastit i dhanë ndihmën e parë të plagosurës, e cila ndodhet në spital në gjendje të rëndë për jetën. Drejtuesi i mjetit u shoqërua në ambientet e Komisariatit nr.4, për veprime të mëtejshme hetimore.

Grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.