Rritet numri i fëmijëve në punë

Numri i fëmijëve në punë është rritur për herë të parë në dy dekada, kanë thënë Kombet e Bashkuara më 10 qershor, duke paralajmëruar se pandemia e koronavirusit ka vendosur miliona fëmijë në rrezik.

Numri i fëmijëve që punojnë është rritur në 160 milionë në gjithë botën, një rritje prej 8.4 milionë fëmijëve në katër vitet e fundit, kanë thënë Organizata Ndërkombëtare e Punës dhe Agjencia për Fëmijë e Kombeve të Bashkuara (UNICEF), në një raport të përbashkët.

“Ne jemi duke humbur në luftën kundër punës së fëmijëve, dhe viti i kaluar nuk e ka bërë këtë luftë më të lehtë”, ka thënë shefja ekzekutive e UNICEF-it, Henrietta Fore.

“Tani, në vitin e dytë të izolimeve në botë, mbylljes së shkollave, problemeve ekonomike dhe uljes së buxheteve, familjet janë të detyruara të bëjnë zgjidhje të vështira”.

Duke konsideruar që një në 10 fëmijë në botë, është i përfshirë në punë, raporti i këtyre dy organizatave paralajmëron se shëndeti, edukimi dhe mirëqenia e gjithë gjeneratës vazhdohet të kërcënohet.

Afrika Sub-Sahariane vazhdon të jetë prekur më së keqi nga ky problem, mirëpo organizatat e Kombeve të Bashkuara kanë thënë se pandemia ka rrezikuar përparimin edhe në disa pjesë së Azisë dhe Amerikës Latine.

Ndonëse përqindja e fëmijëve në punë ka mbetur gati e njëjtë sikurse më 2016, rritja e numrit të popullsisë nënkupton se shifrat janë rritur.

Në raport është thënë edhe se nëntë milionë fëmijë rrezikojnë të përfshihen në punë deri në fund të vitit 2022 për shkak të pandemisë dhe mbylljes së shkollave.

Në raportin, që publikohet çdo katër vjet, është thënë se 70 për qind e fëmijëve që punojnë, janë të angazhuar në sektorin e bujqësisë./Rel

Lajme të ngjashme
Lini një Koment

Adresa juaj e e-mail-it mbahet e fshehur.